Kush është Nesti Angoni? Asnjë nuk e ka parë, emri i tij ishte i padëgjuar deri pak ditë më parë, kur SPAK njoftoi se ishte personi që kishte denoncuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.
Prej asaj dite, të gjithë janë kureshtarë të zbulojnë se kush është Nesti Angoni, a ekziston në të vërtetë apo është një emër i sajuar? Kush e ka futur të denoncojë Veliajn dhe çfarë qëllimesh ka?
Këto pyetje janë në mendjen e të gjithëve atyre që janë të interesuar se çfarë do të ndodhë me Erion Veliajn, por më shumë janë në mendjen e kryebashkiakut të Tiranës, i cili duket se që prej kontrollit të banesës, gjumin nuk po e bën më rehat.
“Nesti Angoni nuk ekziston, por të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson, çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Megjithatë, pavarësisht se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi se është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues”, u shpreh Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak pak ditë më parë.
Por, edhe pse mund të mos e dijë se kush është Nesti Angoni, ai duhet ta dijë mirë nga i ka ardhur ky sulm.
Opozita e ka denoncuar shpesh Veliajn për aferat korruptive, madje ka bërë mbi 30 protesta përpara Bashkisë së Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e tij, ndaj edhe duket e pamundur që Nesti angoni të jetë futur nga opozita për të denoncuar kryebahskiakun.
Pra, denoncimi ndaj tij ka ardhur nga njerëz që e njohin mjaft mirë, që ia kanë mësuar pikat e dobëta dhe e goditën në fshehtësi. Nesti Angoni mund të jetë kushdo që Veliaj i ka besuar apo bashkëpunuar.
Lexo edhe: “Ka të dhëna konkrete për 4 vepra penale”, SPAK reagon për hetimet ndaj Erion Veliajt
“Kush është ai që mund të çojë dosjen me të dhëna TIMS, me regjistrime, me fatura hotelesh, udhëtimesh fabuloze, një avion fantazëm i 2004-2011-2014 me të cilin ka udhëtuar Veliajt. Këto nuk mund t’i çojë asnjeri tjetër në Shqipëri, përveç Edi Ramës. Nesti është Edi Rama”, deklaroi Sali Berisha.
Ashtu si Rama, Nesti Angoni mund të jetë edhe Belinda Balluku, kundërshtarja e tij brenda partisë, por mund të jenë edhe drejtorët e “5D”-së, të lënë në harresë nga Veliaj në burg, duke vuajtur dënimin të vetëm për paratë që ndanë bashkë.
Nesti Angoni mund të jenë të arrestuarit për inceneratorin e Tiranës, që morën përsipër fajin për të shpëtuar kryebashkiakun, e tani janë penduar për veprimet e tyre.
Nesti Angoni mund të jetë kushdo dhe askush! Pak rëndësi ka kush është Nesti Angoni, e rëndësishme është që ky personazh dërgoi para drejtësisë një nga personat më të akuzuar në Shqipëri, që i kishte shpëtuar hetimeve për disa nga aferat më të mëdha korruptive.
Sot, Nesti Angoni ka mbështetjen e çdo shqiptari, me shpresën se do të dalë një “Nesti” tjetër, për të denoncuar edhe ata që deri më sot nuk kanë shkelur kurrë në derën e SPAK.