“Ka të dhëna konkrete për 4 vepra penale”, SPAK reagon për hetimet ndaj Erion Veliajt

SPAK ka reaguar në lidhje me hetimet që po bëhen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u pyet dje për 5 orë nga prokurorët e posaçëm.

SPAK në një reagim zyrtar njofton se deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale ndaj Veliajt, konkretisht: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”. Ai rrezikon nga 7 deri në 15 vite burg.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është marrë dy herë në pyetje nga SPAK. Ndërkohë ditën e hënë dëshmoi para prokurorëve edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, se cilës i është sekuestruar edhe telefoni nga ana e SPAK.

Më datë 6 dhjetor, agjentët e BKH shkuan për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij. Kontrolle pati edhe në qendrën “Harabel”, ku Ajola Xoxa është bashkëthemeluese.

Po ashtu agjentët e BKH kryen kontrolle edhe në banesën e vëllait të Erion Veliajt. Me argumentet se nuk ekzistonte asnjë shkak i ligjshëm për të ushtruar kontrolle, familjarët e kryebashkiakut Erion Veliaj, ankimuan vendimet e kontrolleve, por u rrëzuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Reagimi i SPAK:

Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.

Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.

Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.