Në kërkim nga SPAK, Ermal Beqiri tenton t’i shpëtojë ekstradimit drejt Shqipërisë

Biznesmeni Ermal Beqiri, në kërkim nga SPAK për skandalin me dosjen e AKSHI-t kërkon lirimin nga burgu në Francë.

Sipas medias franceze “Le Courrier Picard”, Beqiri ndodhet në burgun e Beauvais në kuadër të procedurës së ekstradimit drejt Shqipërisë.

Mëgjithatë Beqiri po bën tentativa për t’i shpëtuar ekstradimit drejt vendit tonë, ku do të përballet me disa akuza.

Një tjetër aspekt i çështjes që ka tërhequr vëmendjen e mediave franceze është sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 2,1 milionë euro. Në fokus është edhe një kështjellë në departamentin Oise, në veri të Francës, e lidhur me pasuritë që po shqyrtohen nga autoritetet.

Gjykata e Apelit në Amiens pritet të vendosë të premten e 23 tetorit për kërkesën e tij.

Kujtojmë se SPAK e akuzon Ermal Beqirin për disa vepra penale, konkretisht: “Konkurrenca e paligjshme përmes dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit dhe grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje të veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si edhe “Pastrimi i parave”.