Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i arratisur pasi SPAK kërkoi ta arrestojë si i përfshirë në mega-aferën e inceneratorëve, ka kërkuar rikthimin e pronave të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), atij i janë sekuestruar 6 pasuri, nga të cilat 4 apartamente në pronësi Ahmetaj si dhe 2 llogari bankare tij në shumën 124 300 Euro.
Ai akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Policia e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, teksa avokatët e tij kanë deklaruar se ai ndodhet në Angli pranë familjes. Vetë Ahmetaj ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka deklaruar se është i pafajshëm, por edhe ka theksuar se nuk do të kthehet në Shqipëri derisa të dalë e vërteta. E vërteta të cilën vetëm ai e di.