Është arrestuar në Kolumbi Saimir Rosales Rodrigues, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria lidhur me laboratorin e kokainës së zbuluar në fshatin Frakull i Madh të Fierit.
Kolumbiani do të nxirrte 485 kg kokainë nga 400 thasë me pleh kimik, të sekuestruara në laborator, që ishte ngritur në banesën në pronësi të ish-kryetarit të komunës së Frakullit, Viktor Çervanakut.
Rodriguez ishte përgjegjës për procesin teknik të nxjerrjes së kokainës mes substancave të tjera, ndërsa gjithashtu funksiononte si ndërlidhës midis organizatave mafioze shqiptare të pranishme në Amerikën e Jugut dhe strukturave lokale të trafikimit të drogës.
Kujtojmë se kokaina ishte fshehur mes “plehut organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që u transportua nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi.
Më pas, në rrugë tokësore ngarkesa u fut në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi u zhdoganua në Tiranë, u transportua në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku u bë dhe sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia gjyqësore.