Presidenti Bajram Begaj u nis ditën e djehsme drejt New York-ut, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që nis punimet më 20 shtator.
Ai nuk do të jetë i vetëm, por me një delegacion prej 20 personash, ku përveç këshilltarëve ka vend edhe për bashkëshorten e tij, djalin dhe parukieren personale të bashkëshortes së tij, artisten e njohur të make-up, Lili Ismaili.
Ndoshta ju duket e çuditshme, por Presidenti ka menduar që të mos e lërë bashkëshorten pa u kuruar estetikisht në një mbledhje kaq të rëndësishme ku flitet për fatet e popujve të të gjithë botës.
Sigurisht që pamja është e rëndësishme, por mos vallë e ka tepruar pak Presidenti? Begaj është i ri në detyrë dhe ndoshta dikush duhet t’i thotë se në Asamblenë e OKB-së nuk ka parakalime në tapetin e kuq, por liderë që shkojnë me këshilltarët e tyre për të paraqitur sa më seriozisht mendimet e tyre në këtë mbledhje të rëndësishme.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë Bajram Begaj shkeli Kushtetutën duke dërguar në Kuvend një dekret anti-kushtetues, për shkak se dekretoi ministrin Ervin Mete ndëkrohë që ky i fundit ishte ende i punësuar në administratë.
Ndoshta përgatitjet për udhëtimin në SHBA dhe lista që duhej bërë gati ia kanë tërhequr vëmendjen kreut të shtetit më shumë sesa ky dekret.
Për të mos harruar edhe më të rëndësishmen, ky udhëtim paguhet me taksat e popullit shqiptar. Ata do të qëndrojnë në SHBA me shpenzimet e paguara nga xhepat e një ndër popujve më të varfër dhe më të vjedhur në botë.
