Ndryshimet në qeveri dhe situata në Partinë Demokratike, politologu Ermal Hasimja flet për Media Ditarin

Ndryshimet në qeveri të kryeministrit Rama kanë qenë kryefjala e kësaj jave, pas largimit nga kabineti qeveritar të disa prej ministreve të përfshira në skandale.

Gjithashtu mbledhja e përbashkët e 43 deputetëve demokratë ka qenë një nga temat më të diskutuara, pasi Sali Berisha dhe Gazment Bardhi u ulën në një tryezë me ftesë të këtij të fundit, ftesë të cilën e refuzoi Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesin.

Politologu i njohur, Dr. Ermal Hasimja, ka folur për Media Ditarin në lidhje me këto dy tema. Sipas tij, ndryshimet në qeveri përveçse ndryshime kozmetike, janë edhe ndryshime për të shmangur gërryerjen që ka qëndrimi në pushtet për një kohë kaq të gjatë.

“Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar janë parë nga një pjesë e njerëzve si ndryshime kozmetike. Në fakt, unë mendoj se është më tepër se kaq. Mendoj se është një përpjekje për të shmangur efektin gërryes që ka qëndrimi në pushtet kaq vite, aq më tepër që është shoqëruar edhe me skandale”, tha Hasimja.

Përsa i përket mbledhjes së deputetëve demokratë, Hasimja e sheh si të pamjaftueshme për ta çuar sërish PD-në drejt fitores. Ai thotë se PD duhet të krijojë besueshmëri nëpërmjet afrimit të burimeve të reja njerëzore dhe një program të besueshëm, jo vetëm opër fushata elektorale.

“Përsa i përket situatës në kampin e opozitës, nuk mendoj se është thjesht çështje numrash, nuk mendoj që thjesht grumbullimi i të gjithë deputetëve, do ta zgjidhte problemin. Këta deputetë që janë bashkuar sot, kanë qenë bashkë me të tjerë brenda PD-së dhe kjo nuk ndryshoi asgjë pasi PD ka qenë sërish humbëse. Nuk mjafton bashkimi i atyre që kanë qenë, por PD duhet të krijojë besueshmëri duke afruar burime të reja njerëzore dhe një program të besueshëm, jo vetëm për fushatë elektorale”, u shpreh Ermal Hasimja për Media Ditarin.h