Ndryshime në statutin e Rithemelimit, Gazment Bardhi pritet të zgjidhet nr 2 i PD

Kuvendi Kombëtar prej afërsisht 1300 delegatësh i Partisë Demokratike të Rithemelimit do të mblidhet në datën 2 Dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Lajmi u bë i ditur pak ditë më parë nga vetë kreu i PD-së së Rithemelimit, Sali Berisha.

Por deri tani, ajo që mësohet zyrtarisht është se Kuvendi Kombëtar do të ketë detyrim të votëbesojë kreun e partisë, z Berisha, për shkak të një norme statutore që lidhet me zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.

Kreu i saj, Sali Berisha do të kërkojë votëbesimin në Kuvendin Kombëtar për të vijuar në krye të partisë dhe me shumë gjasa ai do të votëbesohet sërish.

Por burimet brenda kampit blu tregojnë për Media Ditarin se është duke u punuar edhe për një draft statut të ri, me qëllim shtimin e disa pikave të reja, duke u bazuar në zhvillimet më të fundit që lidhet me bashkimin e deputetëve.

Burimet saktësojnë se është duke u diskutuar mundësia që PD e Rithemelimit të ketë një shtim të nënkryetarëve, nga 2 aktualisht, në 4 të tillë. Gjithashtu, synohet të ketë disa rregullime organizative si dhe një ndryshim në numrin e anëtarëve të kryesisë.

Duket që këto ndryshime statutore kanë si synim “çimentimin” e marrëdhënies me dy grupeve të deputetëve demokratë, atë të Berishës dhe të kryetarit të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi. Aktualisht me statut, një nga nënkryetarët duhet të jetë Kryetar i Grupit Parlament por që nuk është vënë në jetë.

Kështu, për shkak të kësaj norme statutore, Gazment Bardhi do të emërohet automatikisht si nënkryetar i Partisë Demokratike të Rithemelimit ndërsa shumë mbështetes së tij deputetë pritet të zgjidhen si anëtarë të kryesisë.

Gjithsesi burimet saktësuan se ende nuk ka një draft përfundimtar pasi do të duhet të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar që të japë dakortësinë e dërgimit të ndryshimeve statutore në Kuvendin Kombëtar.