Një ndërtim pa leje ka sjellë sot pezullimin e zinxhirit komandues të Bashkisë Himarë, pas ndërtimit të një objekti pa leje, në Qeparo.
Bëhet fjalë për një objekt 5-katësh, njëri prej të cilëve nëntokë, që po ndërtohej pa leje në vendin e quajtur “Sugë”.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.
Ndërkohë policia ka arrestuar në flagrancë pronarin e objektit, një 39-vjeçar banues në Tiranë, ndërsa tre punonjës të IMT-së Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Njoftimi:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezullon nga detyra gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo, Himarë
Në vijim të masave të marra për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:
– Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
– Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;
– Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.
Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.
Ky shtetas u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe 2 inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.
Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë dhe largojë nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën, abuzon me të dhe cenon besimin e qytetarëve