Gazetari Osman Stafa ka ndjekur nga afër ngjarjen e paprecedentë që u regjistrua dje në Qendrën Spitalore ”Nënë Tereza”, ku për gati 40 minuta iku energjia elektrike.
Në një intervistë për News 24, gazetari tha se ngjarja duhet të hetohet për shpërdorim detyre.
Osmani tha më tej se Ministria e Shëndetësisë duhet të kishte reaguar dhe të tregonte se çfarë kishte ndodhur një ditë më parë, duke sqaruar të gjithë opinionin publik.
“Janë 3 linja për të garantuar energjinë elektrike në QSUT. Por asnjë nga ato s’ka funksionuar. Për situatën e ndodhur mbrëmë, ku për 30-40 minuta, nuk ka pasur energji në QSUT, duhet të kishin nisur hetimet. Është shpërdorim i hapur detyre. A vendoset gjeneratori në punë?
Ne nuk dimë se çfarë ndodhi. Çfarë ndodhi që një prej ndërtesave kishte energji dhe në tjetrën nuk kishte?! QSUT, drejtoria, Ministria e Shëndetësisë, nuk ka dalë që të deklarojë; ka ndodhur kjo gjë, kemi marrë këto masa dhe pritet kjo gjë! Edhe në kohë lufte, një spitali nuk i ikën energjia. Këta çfarë bënë, të detyruar ditën e djeshme, i morën pacientët nga reanimacioni qendror, duke i dërguar në reparte të tjera. Aty janë dy godina.”, tha ai.