NATO po diskuton anëtarësimin e Ukrainës dhe Suedisë, vjen reagimi i ashpër nga Moska: Do ketë pasoja katastrofike!

NATO ka rënë dakord në vitin 2008 që Ukraina të bëhet anëtare e aleancës, por kurrë nuk tha se si dhe kur mund të ndodhë kjo. Dhe ndërkohë që Perëndimi po i jep mesazhe pozitive vendit për përfshirjen në aleancën e përbashkët ushtarake, ka ardhur reagimi i ashpër nga Moska.

Pasi anëtarët e NATO-s u mblodhën në Vilnius, ku po diskutohet anëtarësimi i Ukrainës dhe Suedisë në aleancë, Rusia ka paralajmëruar “pasoja katastrofike” në Europë nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet.

Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, theksoi se vendi i tij po merr masat e duhura për t’iu përgjigjur anëtarësimi të Suedisë dhe Ukrainës në NATO.

“Udhëheqësit europianë duket se nuk e kuptojnë se zgjerimi i NATO-s është një gabim,” tha të martën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Peskov, duke folur teksa filloi samiti i NATO-s në Vilnius, tha se ishte përparimi i aleancës ushtarake perëndimore në Europën qendrore dhe lindore që çoi në krizën aktuale mbi Ukrainën në radhë të parë. Moska e ka bërë të qartë se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes ishte një faktor kyç në vendimin e saj për të pushtuar Ukrainën gati 17 muaj më parë.

Të hënën, Kremlini njoftoi se nëse Ukraina do t’i bashkohej aleancës, kjo do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë dhe do të nxiste përgjigjen e qartë dhe vendimtare të Moskës.