Detaje të reja janë nxjerrë në pah ditët e fundit nga mediat në Kosovë lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt.
Vjehrri i saj Shaban Murseli në dëshminë që ka dhënë para hetuesve ka thënë se ka qenë në dijeni të një problemi mes çiftit, që ka ndodhur rreth një viti para ekzekutimit të 30 vjeçares.
Sipas tij Naimit i janë zbuluar disa mesazhe me nusen e djalit të hallës së tij, K.Kokalla, vëllai i Kushtrim Kokallës, i dyshuar si i përfshirë në vrasje.
“Unë përveç një problem që e ka pas Naimi me djalin e hallës se tij K. para një viti që ka pas disa masazhe të shkëmbyer përmes telefonit gjegjësisht me B., gruan e K.. Sipas njohurive që unë i kam pas për këtë rast nuk ka pasur diçka me shume mes Naimit dhe B. përveç disa shkrimeve dhe fotove jo intime, foto normale”, ka thënë Shaban Murseli në dëshminë e dhënë në Polici më 1 dhjetor.
Shaban Murseli ka thënë se Naimi dhe Liridona janë takuar me vëllain e Kushtrim Kokallës e bashkëshorten e tij dhe e kanë mbyllur këtë çështje. Ka thënë se nga ky rast janë ftohur marrëdhëniet mes tij dhe Naimit.
“Mirëpo e di qe Naimi me Liridonën dhe K. me B. janë marrë vesh që kjo gjë të mbyllet me kaq. Nga ky rast Naimi i ka ftohur marrëdhëniet me në një mënyrë me mua dhe familjen”, ka thënë ai.
I pyetur nga hetuesit policorë nëse i kanë kërkuar ndonjë haraç nga familja Kokalla lidhur me këtë problem, Shaban Murseli ka thënë: “Unë nuk kam ndonjë informate se Naimi apo familja kemi paguar ndonjë gjë për këtë punë”.
Në dëshminë e tij para hetuesve policorë, të cilën e ka siguruar Paparaci, Shaban Murseli ka rrëfyer momentin kur i është kumtuar lajmi i vrasjes së Liridona Ademajt.
“Unë për këtë rast jam njoftuar ditën e vrasjes. Më ka thirrë djali i dytë Mërgimi dhe më ka treguar për rastin ku ka qenë rreth orës 22:00 e datës 29.11.2023, dhe me ka thënë ‘babë a ke folë me Naimin se po thonë se e kanë vra Lilin’, ndërsa unë jam shokuar nga ky lajm”, ka rrëfyer ai.
“E kam thirrë gruan time dhe e kam pyetur se çka ka ndodhë dhe i kam treguar, pastaj pas pak jemi bërë së bashku me gruan time Sanijën, vëllain Asllanin, me gruan e tij Fatmiren dhe djalin Mërgimin jemi nisur me veturë ku kemi udhëtuar për Kosovë diku 40 orë dhe kemi mbërritur me datën 01.12.2023 në orën 06:00 në shtëpinë në fshat ku kemi takuar të gjithë familjen. Nuk kam mundur të pyes askënd rreth rastit me qenë se ishim shumë të zënë me procedurën e varrimit dhe rreth pritjes së njerëzve”, ka thënë Murseli.