‘Mundësia’ në Pogradec/ Shehaj: Ramës i duhet vota juaj për tu mbrojtur nga SPAK-u

Në takimin elektoral të Partisë Mundësia në qytetin e Pogradecit, kryetari Agron Shehaj paralajmëroi se pas zgjedhjeve të 12 majit, shumica e Parlamentit të ardhshëm do të ketë probleme me drejtësinë, duke theksuar se kjo është çështja më e madhe për të cilën qytetarët shqiptarë duhet të reflektojnë.

Sipas Shehajt, Ramës i duhet vota e shqiptarëve për t’u mbrojtur nga SPAK.

“Dhe do ta shikoni: po vjen 12 maji, dhe ne do kemi të paktën 80% të përfaqësuesve në Parlamentin e ardhshëm që do të merren me drejtësinë, që do të kenë probleme me drejtësinë. Kjo është çështja për të cilën duhet të diskutojmë.”

“Ramës i duhet vota juaj për tu mbrojtur nga SPAK-u” – u shpreh kreu i Mundësia.

Shehaj denoncoi mënyrën si Edi Rama ka ndryshuar qëndrim ndaj drejtësisë dhe ndaj SPAK-ut, duke kaluar nga sulmet ndaj prokurorëve në përpjekjet për t’u shitur si mbështetës i tyre:

“Tre javë më parë, kur arrestuan krahu i tij i djathtë, Erion Veliajn, fillimisht Rama nisi të sulmonte SPAK-un. I çoi militantët që rrethuan SPAK-un, rrethuan gjyqtarët, i fikën dritat, ndaluan fugonin e policisë, dhe i quajti hetues si në kohën e regjimit komunist. I quajti Dumanin dhe prokurorët e SPAK-ut si hetues të diktaturës.
Por tani, që po afrojnë zgjedhjet, Edi Rama ka ndryshuar totalisht sjellje. E di shumë mirë që duhet të gënjejë. Është mjeshtër në këtë punë. Ka filluar të thotë: ‘Jo, Dumanin e bëra unë. Dumanin e mbështeta unë. Pa mua, Dumanin nuk do ta kishin bërë.’
Kaloi nga ai që e quante Dumanin hetues të diktaturës, në atë që thotë se e ka bërë vetë Dumanin.”

Në vijim, Shehaj akuzoi Edi Ramën se pas zgjedhjeve do të rikthehet në qëndrimet e tij kundër drejtësisë, pasi partitë e vjetra nuk e duan luftën kundër pandëshkueshmërisë:

“Por ne e dimë shumë mirë që më 12 maj, sapo të mbarojnë zgjedhjet, sapo të ketë gënjyer edhe një herë qytetarët shqiptarë dhe t’u ketë marrë votën, Edi Rama do ndryshojë totalisht qëndrim.
Sepse partitë e vjetra politike kanë një problem shumë të madh: nuk e duan luftën kundër pandëshkueshmërisë.”

Në këtë kuadër, Shehaj solli edhe shembullin e listave të Partisë Socialiste, ku sipas tij, janë përfshirë kandidatë të hetuar për korrupsion:

“Ne kemi përballë Edi Ramën, që pa asnjë siklet, pa asnjë ndjesi faji apo turpi, ka vendosur në listat e Partisë Socialiste kandidatë që janë nën hetim nga SPAK-u për korrupsion. Jo një, por pesë kandidatë për deputetë që nesër do të jenë në Parlamentin e Shqipërisë, janë nën hetim nga SPAK-u për korrupsion.
Dhe nuk po flasim këtu për të tjerët që janë tashmë në burg.
Edi Rama, pa pikë turpi, thotë: ‘Jo, nuk e dija që këta vidhnin.’”

Në fund, kreu i Partisë Mundësia theksoi qartë se votat e kësaj force politike nuk do të shkojnë kurrë kundër drejtësisë:

“Dhe shpesh dëgjoj që thonë: ‘Agron, çfarë do bëjë Partia Mundësia? Do bëhet me Ramën Partia Mundësia? Do bëhet me Berishën Partia Mundësia?’
Jo, mo jo.
Unë e kam thënë qartë: Votat e Partisë Mundësia nuk kanë për të shkuar kurrë kundër drejtësisë” – u shpreh Shehaj.