Morën ryshfet nga pronari i një biznesi, arrestohen dy punonjës të OSHEE në Tiranë

Dy punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Tiranë janë arrestuar, pasi akuzohetnse i kanë marrë 2.7 milionë lekë të vjetra ryshfet pronarit të një furre buke.

Rasti u denoncua nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, mbrëmjen e djshme, ku pronari i furrës së bukës Zef Gjelaj tregonte se Roland Kaçaj dhe Arjan Pashaj  i kanë kërkuar me ngulm paratë, me qëllim që t’i rimbursojnë energjinë elektrike.

Paratë nga punonjësit janë marrë në dy periudha, në vitin 2022 dhe në dhjetor 2023. Madje, Ryshfeti i kërkuar është gjysma e debisë që pronari i furrës ka paguar energjinë elektrike dhe duhej t’i kthehej atij. Por, nga 5.4 milionë lekë që do t’i rimbursohej, 2.7 ia morën brenda furrës këta punonjës.

“Në lidhje me rastin e transmetuar  mbrëmë, në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’, që bënte fjalë për 2 punonjës të OSHEE-së, të cilët i kanë marrë shuma të ndryshme parash, një shtetasi, me qëllim rimbursimin e energjisë elektrike dhe ndryshimin e tarifimit për subjektin e tij (furrë buke), ju bëjmë me dije se: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që shfaqen në video. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë arrestuan shtetasit: A. P., 54 vjeç dhe R. K., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 500 000 lekë dhe 3 celularë, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme, shtojnë të njëjtat burime.