Monika Kryemadhi hedh akuza: SPAK ka intimiduar dëshmitarët! Deputetja e PL thotë se nuk do kërkojë gjykim të shkurtuar

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur sot në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” që GJKKO la caktuar ndaj saj ndërsa pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe çoi dosjen për gjykim.

Në një komunikim për mediat, Kryemadhi pretendon se SPAK ka intimiduar dëshmitarët në procesin ndaj saj dhe ish-bashkëshortit, Ilir Meta, por edhe ndaj nënës së saj, Fatime Kryemadhi, e akuzuar për pastrim parash.

“Të gjitha këto janë gjëra që SPAK i ka përdorur për të marrë informacione ndaj bizneseve të ndryshme dhe e shoh si tejkalim të detyrës për të ushtruar intimidim ndaj bizneseve që mund të kenë qenë pjesë e komunikimit. Do të shikoj edhe thirrjen e disa dëshmitarëve të tjerë. Emër konkret? Tani është shpejt për ta djegur si lajm, por janë emra interesantë. Edhe kushëriri im nga Amerika. Një nga memot që kam kërkuar është pse nuk është marrë në pyetje. Prokurori ka thënë se s’ka ardhur në Shqipëri”- u shpreh Kryemadhi. 

Ndër të tjera, ajo tha se nuk do të kërkoj gjykim të shkurtuar në GJKKO.

“Dosja ka zbritur nga kati i tretë në të parin, nuk është se ka ndonjë qamet. Asnjë ndryshim. Gjatë gjithë kësaj kohe që kam marrë të gjithë fashikujt, 5 CD që janë dokumentacione. Me thënë të drejtën gjëja e parë që kam lexuar kanë qenë letërporositë, ku në të gjitha qoftë nga SHBA dhe Anglia, Qipro, apo Çekia, të paktën të flas për dy gjëra, është duket haptas një shpërdorim detyre nga ana e prokurorisë, ku vetë institucionet ia kanë bërë me dije. Por janë gjëra që do të njiheni më vonë pasi të konsultohemi nga ana ligjore me avokatët për mënyrën se si duhet të shprehemi. Nuk do të ketë gjykim të shkurtuar për mua”, tha Kryemadhi.