Mjekët shesin ilaçet, mësuesit falsifikojnë bursa! Përse korrupsioni fillon në Ministritë e Ogerta Manastirliut?

Zbulimi i skandaleve po bëhet një ngjarje e zakontë në Shqipëri, pasi çdo ditë SPAK po nxjerr urdhër arreste për zyrtarë të lartë të të gjithë institucioneve.

Por këto tregojnë nivelin e korrupsionit në vendin tonë, ku punësimet partiakë kanë çuar në drejtim të institucioneve njerëz të babëzitur për të grabitur sa më shumë nga taksat e qytetarëve dhe për t’u pasuruar shpejt, duke vënë në rrezik edhe jetën e qytetarëve.

Rasti i fundit është ai i Spitalit Onkologjik, ku disa mjekë dhe drejtues shisnin ilaçet që ishin për të sëmurët me kancer te farmacitë private, duke i detyruar qytetarët të paguanin shumë të mëdha për të marrë medikamentin që do t’i mbante në jetë për një kohë që askush nuk e di.

Këta mjekë rrezikonin me dijeni të plotë jetët e qindra e mijërave qytetarëve që nuk mund të siguronin dot në kohë medikamentet e nevojshme, ndërsa nga ana tjetër bisedonin me njëri tjetrin për pushime në Tajlandë apo Maldive.

Kjo nuk është vetëm skandal, por është një tentativë vrasje ndaj qytetarëve. Por këta mjekë sot morën masa sigurie vetëm “arrest në shtëpi” apo “detyrim paraqitje”, pavarësisht se nuk i dihet se sa persona mund të kenë humbur jetën gjatë këtyre viteve nga mungesa e medikamenteve në spital.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë hesht! Hesht, sepse në rastin më të mirë po kërkojnë një justifikim të arsyeshëm për atë që ka ndodhur, ose në rastin më të keq, paratë ndaheshin edhe me zyrtarët e Ministrisë.

Ky skandal ka filluar të paktën prej vitit 2022, kur Prokuroria u vu në dijeni të kësaj skeme vrasëse, teksa në atë vit, ministre e Shëndetësisë ishte Ogerta Manastirliu, një nga ministret më të akuzuar nga opozita për korrupsion, por që gjithmonë ka heshtur dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje për akuzat që i janë bërë.

Lexo edhe: “6 milionë euro për Arsimin iu dhanë inceneratorit të Tiranës”, Manastirliu kyç gojën për akuzat e Arben Ahmetajt ndaj Veliajt

Por, këta zyrtarë barbarë nuk po vrasin vetëm të sëmurët, por po vrasin arsimin dhe rininë shqiptare.

Pak javë më parë, u zbulua një skemë mashtrimi me bursat e studimit në SHBA, për të cilën reagoi edhe ambasada amerikane. Por deri në reagimin e ambasadës, policia nuk kishte dhënë asnjë informacion për këtë skandal tjetër në arsimin shqiptar.

Drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi, së bashku me një zyrtare të Zyrës Arsimore të Tiranës, Valentina Lamaj, kishin ngritur një skemë mashtrimi me bursat amerikane, ku tentonin të zhvasnin prindërit e nxënësve të shkollave të kryeqytetit dhe jo vetëm.

Lexo edhe: Universiteti i Tiranës në vendet e fundit të renditjes, Manastirliu dhe Rektori e përgënjeshtrojnë, dokumenti i Ministrisë i nxjerr zbuluar

Kjo skemë mashtrimi ka filluar rreth 8 muaj më parë, kur Ogerta Manastitliu sapo kishte marrë detyrën. Edhe në këtë rast, përgjigja e Manastirliu ka qenë vetëm heshtja, teksa ka vijuar me propagandën se qeveria ka ndërtuar shkolla dhe kopshte.

Pra, dy skema mashtrimi të mëdha, njëra që rrezikonte jetën e qytetarëve dhe një tjetër që zhvaste shqiptarët, kanë marrë jetë kur në krye të institucioneve drejtuese ka qenë Ogerta Manastirliu.

Lexo edhe: SPAK nis hetimet për Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu

Por ministrja e preferuar e Ramës, që nuk ka ndejtur asnjë ditë pa një post në qeveri, është e mësuar me skandale, që e kanë shoqëruar në çdo ministri që ka drejtuar.

Tenderat sekretë të pandemisë, arrestimi i krahut të saj të djathtë në Ministrinë e Shëndetësisë, milionat e eurove që ishin për Arsimin por përfunduan te inceneratori i Tiranës, rezultatet skandaloze të PISA-s, skandali te Onkologjiku, mashtrimi me bursat amerikane.

Lexo edhe: Arrestimi i “krahut të djathtë” të saj, Manastirliu kopjon Ramën: Distancohem plotësisht!

Të gjitha këto më sipër janë skandale që kanë ndodhur në Ministritë që drejtoheshin apo drejtohen nga Ogerta Manastirliu, për të cilën SPAK ka hapur edhe një hetim së fundmi, pas kallëzimit nga ana e opozitës.

Për kryeministrin Rama, duket se Ogerta Mnastirliu, të cilën e ka patur në krah që nga Bashkia e Tiranës, jo vetëm që është e paprekshme, por është edhe e gjithëditur. Ajo mund të drejtojë Shëndetësinë dhe Arsimin, ndërsa nuk është çudi që në rast të një mandati të katërt, ta shohim edhe si Ministre Financash apo Bujqësie.

Në një vend ku qeveria dhe institucionet janë kthyer në vende pune qokash, pasi vendimet merren vetëm te godina ku hyjnë “youtubera” dhe jo qytetarë, gjithçka mund të ndodhë!

Lexo edhe: Rezultatet e dobëta në testin PISA, Manastirliu si Rama, ia vë fajin pandemisë dhe tërmetit