Arrestimi i “krahut të djathtë” të saj, Manastirliu kopjon Ramën: Distancohem plotësisht!

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë seancës së sotme plenare ka folur ndër të tjera edhe për arrestimin e Joana Duros, Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, e akuzuar për korrupsion.

Qëndrimi i Manastirliut ka qenë i njëjtë me atë të kryeministrit Rama, kur këtij të fundit i janë arrestuar me radhë nga zyrtarët e thjeshtë, deri te deputetët dhe ministrat, duke u distancuar publikisht dhe duke bërë thirrje që këto raste të hetohen dhe dënohen.

“Distancohemi plotësisht! Cilido që shkel këto parime duhet të përballet me pasojat që parashikon ligji. Ky ka qenë qëndrimi dhe bindja ime që kur kam marrë poste publike. Rasti duhet të hetohet deri në fund. Nëse del të përballet me pasojat e ligjit. Sot kemi organe drejtësie të pavarura”, u shpreh ministrja.

Kujtojmë se Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro u arrestua ditën e premte me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi akuzohet se ka marrë ryshfet 3.3 milionë lekë të vjetra për një tender. Në pranga bahskë me Duron kanë rënë edhe Laura Shteto, me detyrë specialiste, administratori i kompanisë, ‘DRICONS’, Vladimir Topi dhe inxhinieri i kompanisë, shtetasi S.Sh.