Ish-peshëngritësi Pirro Dhima në një intervistë të dhënë televizonin grek “Open” ka thënë se është bullizuar shpesh në jetën e tij. Sipas Dhimës, ai është sharë dhe fyer në Greqi, duke e quajtur atë shqiptar.
Ai tha se nuk shqetësohet nga kjo, por ka deklaruar se nuk është dhe nuk ndjehet shqiptar.
Dhima, që është kandidat për eurodeputet me partinë e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, tha se minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi janë dhe duhet të jenë urë lidhëse për miqësinë mes dy vendeve.
“Poooo, çdo ditë, çdo ditë. Nga mëngjesi në darkë më shajnë. Për shumë vite seri ndodh kjo gjë. Ende edhe sot disa trollë shkruajnë nga mëngjesi në darkë, më shajnë, më fyejnë. Më quajnë shqiptar. Unë nuk ndjehem shqiptar, s’jam ndjerë ndonjëherë shqiptar, nuk jam shqiptar.
I respektoj shqiptarët, kam shokë, kam vëllezër shqiptarë. Jam rritur me ta. Flas çdo ditë me ta në telefon. Këtu në Greqi kemi shumë shqiptarë, njerëz të nderuar, familjarë që rrisin fëmijët e tyre me ndershmëri. Kanë mundur të bëjnë pasuri këtu, kanë hapur punët e tyre janë nikoqirë të nderuar. Janë punonjës të shkëlqyer. Unë dua të përmend fjalën e kryeministrit tonë (Mitsotakis) që tha në Derviçan në prani të kryeministrit shqiptar Rama: Minoriteti grek në Shqipëri, në Voriepir dhe emigrantët shqiptarë që kanë ardhur në Greqi duhet te jenë urë miqesie, zhvillimi dhe mirëqenie për të dy vendet”, shtoi ai.