Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ka njoftuar pezullimin e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pak javë pasi Kryeministri Edi Rama kërkoi që të pezullohej urgjentisht veprimtaria e AKU-së, pasi sipas tij bën më shumë dëm se sa mirë.
“Duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU-së. AKU-ja nduhet ndaluar me urgjencë që të vazhdoje të veprojë sepse me shumë se sa mirë bën dëm. Duhet pezulluar’- u shpreh Rama pak ditë më parë.
Po ashtu është vendosur edhe ngritja e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë që do të vlerësojë inspektorët e AKU-së. Komisioni do të përbëhet nga pesë anëtarë në total, ku tre do të jenë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Për këta të fundit, ishte një kërkesë e Ramës që të ishin pjesë e këtij komisioni.
“Kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të inspektimeve pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara. Ky urdhër njëkohësisht ka në bazë edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë, unë këtu dua të falenderoj mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili në përbërje të këtij komisioni do të ketë tre anëtarë dhe do të kryesohet nga profesor Iliri. Komisioni do të vlerësojë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së. Aplikantët e rinj, të cilët do t’i bashkohen kësaj trupe, do të jenë gjithashtu fokus i veprimtarisë së këtij komisioni për të sjellë në këtë institucion një frymë të re, një qasje të re dhe mbi të gjitha. një etikë të re. Ky proces do të ketë jo vetëm një analizë të gjithë masave dhe gjithë proceseve të shkuara, por dhe një testim dhe një vlerësim të potencialit tuaj individual në frymë të punës.”, u shpreh Denaj.