Ministrja Bilali i kthehet kundër Enio Jaços dhe ‘përgënjeshtron’ raportin e DASH: S’kam parë ndonjë kompani të huaj që të jetë penguar nga klima e biznesit në Shqipëri

Ministrja e sipërmarrjes Edona Bilali i është përgjigjur presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, për deklaratën e tij pas pas publikimit të raportit të DASH për Klimën e Investimeve dhe korrupsionin.

Jaço tha se korrupsioni i përhapur tek prokurimet publike është kthyer tashmë në normalitet ndërsa shprehu shqetësimin se krimi i organizuar, veçanërisht trafikimi i drogës eka thyer konkurrencën e drejtë në treg.

Ministrja, në një postim në Facebook, shkruan se “qysh se jam në këtë detyrë, as e kam hasur dhe as kam dëgjuar për ndonjë kompani amerikane apo europiane, që e ka penguar klima e biznesit në Shqipëri të investojë!”

Ajo madje përgënjeshtron raportin e DASH për klimën e investimeve dhe thotë se “ka pasur vetëm reagime shumë pozitive prej investitorëve për mikpritjen dhe trajtimin në Shqipëri”.

Reagimi i plotë i ministres Bilali:

Drejtuesi i AmCham, para 4 ditësh (vetëm pasi u publikuan statistika me shifra) pohon dhe shprehet i kënaqur që janë 3-fishuar investimet amerikane në vend.

3 ditë me vonë, pas publikimit të raportit të Departamentit të Tregtisë (i parifreskuar prej 2 vitesh), rimarrë nga DASH me disa ndryshime, shprehet që problem është klima jo-miqësore e biznesit. Pyetja që të vjen menjëherë në mendje është: si e shpjegon drejtuesi shqiptar i AmCham (normalisht ai duhet të kontribuojë në leximin objektiv të aktualitetit në terren) faktin se amerikanët investuan 3 herë më shumë në Shqipëri për 4 vitet e fundit, ndërkohë që një seri investimesh të tjera të mëdha amerikane janë në proces përgatitjeje?!

Askush nuk i mohon këto probleme, por qyshse jam në këtë detyrë, as e kam hasur dhe as kam dëgjuar për ndonjë kompani amerikane apo europiane, që e ka penguar klima e biznesit në Shqipëri të investojë! Madje perkundrazi, kam pasur vetëm reagime shumë pozitive prej tyre për mikpritjen dhe trajtimin në Shqipëri. Të njëjtën kam dëgjuar edhe nga kolegët e mi!

Sa gjynah kur bashkëqytetarë tanët, aq më tepër në funksione te tilla ndikojnë për keq, pa asnjë fakt apo shifër, në ushqimin e perceptimeve të deformuara prej vitesh qoftë tek opinioni publik, qoftë tek miqtë dhe partnerët e huaj!

Por shyqyr, në fund mbetet si gjithnjë puna me faktet e punës, për të cilat flet sot edhe Shqipëria turistike, me të dhënat e saj mbresëlënëse!