“Ministria e tymit dhe ndotjes”, qytetarët protestojnë poshtë zyrës së Mirela Kumbaros

Një protestë është zhvilluar sot para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit pas zjarrit që po vijon tre ditësh në landfillin e Elbasanit, duke shkaktuar ndotje të rëndë të ajrit dhe rrezik për shëndetin e banorëve në zonat përreth.

Me pankarta nëpër duar, aktivistët kanë protestuar para kësaj ministrie, të cilën e kanë quajtur me ironi “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”.

“Inceneratorët po djegin euro tona”, shkruhej në një prej pankartave që mbanin qytetarët.

Sipas tyre, kjo ministri ka dështuar të menaxhojë bombat mjedisore dhe shëndetësore, të fikë zjarret, dhe të marrë masat për mbrojtjen e qytetarëve.