Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani ka kryer një operacion dy ditë më parë, në repartin e sëmundjeve të brendshme në QSUT.
Lajmi është bërë i ditur sot nga kryeministri Rama në takimin e zhvilluar për “Autonominë Menaxheriale për spitalet rajonale”.
Duke u përpjekur të tregojë arritjet e shërbimit spitalor në Shqipëri, Rama u shpreh se sot spitalet shtetërore i kanë kushtet njëlloj si privatët dhe jo siç ishte para 10 viteve, që në privat gjeje më shumë shërbim. Megjithatë ai nuk përmendi se si trajtohen njerëzit e thjeshtë që nuk kanë pushtet në vend.
“Është e disata herë që mblidhemi këtu me ju për arsye të ndryshme, të lidhura me momente zhvillimi në ecurinë e kësaj përpjekje të filluar në kushte, të cilat sot duken sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, që sot ngjajnë të paimagjinueshme, që kanë qenë pjesë e trupës mjekësore dhe qytetarëve tanë.
10 vite më parë këto pamje do të ishin thjeshtë dhe vetëm pamje të një dëshire, të një ëndrre që dukej e pamundur të realizohej në një kohë të shkurtër. Sot jemi në stad krejt tjetër, këtë mund ta konfirmoj si një pacient i QSUT.
Jo më larg se pardje ministri i Jashtëm bëri një operacion në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme, dhe më shkruan që nuk e besoj dot që ky është spitali ynë i ri në Tiranë, dhe kështu dëshmojnë shumë njerëz që kanë kaluar në atë spital dhe është një ndër spitalet më të mira të Europës.
Që mjekët të paguhen me një pagë horizontale nga shteti, por cilido prej tyre që punon më shumë, të ketë mundësi të paguhet edhe më shumë. Nuk ka asnjë arsye që shërbimi publik të jetë zgjedhja e parë edhe atyre shqiptarëve që e kanë mendjen te private. Kur ne e filluam këtë rrugë, disa struktura private kishin kushte më të mira, sot nuk është kështu”, tha Rama.