Ministri grek vizitë në Shqipëri, pritet të takojë Fredi Belerin në burg

Gazeta më e madhe greke, Protothema shkruan se ministri grek i Shtetit, Stavros Papastavrou ndodhet në Shqipëri dhe sipas informacioneve do të takohet me kryebashkiakun e zgjedhur të Heimarrës, Fredi Beleri, i cili mbetet në burg.

“Takimi do të zhvillohet në mesditë në burgjet e Durrësit, ku ndodhet i burgosur prej gjashtë muajsh. Vizita bëhet në funksion të vazhdimit të gjyqit nesër, për t’i shprehur edhe një herë mbështetjen e tij”, shkruan gazeta.

Kujtojmë se Athina i ka bërë vazhdimisht thirrje Shqipërisë që ta lejojë Fredi Belerin të bëjë betimin, duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe etnikisht. Qeveria shqiptare ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë rrugën e tij.

Ndërsa një javë më parë, media greke Kathimerini raportoi se Athina kishte refuzuar të firmoste një letër që i kërkonte Komisionit të hapte pesë kapitujt e parë të negociatave.

 Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili kandidoi nën logon e “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale më 14 maj, i akuzuar për blerje votash.