Ministrat e vendeve të BE braktisin samitin gjatë fjalës së diplomatit rus, por Ministri Igli Hasani qëndron deri në fund

Ditën e sotme është mbajtur samiti i OSBE-së në Shkup. Pjesëmarrës në këtë event ka qenë edhe Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Gjatë fjalës së tij, disa delegacione kanë braktisur sallën, por jo delegacioni i Shqipërisë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, qëndroi gjatë fjalimit të Lavrov, i cili foli edhe për Kosovën dhe Serbinë.

Informacionin e ka bërë të ditur deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i cili është shprehur se Ministri Hasani nuk ishte në mesin e atyre që u largua nga salla e samitit, gjatë fjalimit të përfaqësuesit rus.

Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar Ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror. Ministrat e Jashtëm të Danimarkës, Çekisë dhe Polonisë mes të tjerësh braktisën sallën pasi Lavrov mori fjalën, ndërsa më herët Blinken, Borrell dhe zyrtarë të tjerë, kishin lajmëruar se nuk do merrnin pjesë gjatë fjalimit të kryediplomatit rus.