Microsoft punëson Sam Altman, tre ditë pasi u shkarkua si drejtor i OpenAI

Kompania “Microsoft” lajmëroi ditën e hënë se kishte punësuar Sam Altman, bashkëthemeluesin e kompanisë “OpenAI” që krijuan “ChatGPT”.

Bordi i kompanisë e shkarkoi Sam Altman, të premten, duke thënë se kishte humbur besimin tek ai. Kompania nuk dha detaje të tjera shpjeguese, por lajmi tronditi botën e inteligjencës artificiale.

Pavarësisht spekulimeve për një rikonsolidim të marrëdhënieve dhe të rikthimit të tij gjatë fundjavës, si dhe përpjekjeve të CEO-s së përkohshme shqiptare, Mira Murati, për t’i rikthyer Altman karrigen e drejtuesit, duket se marrëdhënia me kompaninë është mbyllur përfundimisht.

Burime të brendshme raportojnë se pas largimit të Altman si drejtues i “OpenAI”, dhjetëra anëtarë të stafit kanë dhënë dorëheqjen. Këto largime të papritura, sipas disa spekulimeve, mund të pengojnë në performancën e kompanisë, e cila tashmë ka një drejtues të ri.

Emmett Shear është emëruar drejtues i kompanisë. Ai është një nga themeluesit e platformës “Twitch”.