Meta: S’mbaj përgjegjësi çfarë ka bërë Kryemadhi pa dijeninë time, kam statusin i divorcuar

Mësohen detaje nga seanca në themel nga ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Në seancë, SPAK ka lexuar prova nga dosja hetimore, lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimet në SHBA.

“Meta ka pranuar se e njeh Kastriot Ismailajn, ka mesazhe intensive, Meta ne 2009 i ka çuar sms dhe i ka shkruar “dua 200”.

Meta e Kryemadhi kane mare përsipër te ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA qe kompania e Ardian Sharkut të futet ne treg. Ka komunikime te vazhdueshme, takim te Metës ne Marok dhe SHBA. Për fibrat, Shatku ka pasur interes për të ushtruar veprimtarinë për shtrimin e fibrave ne Shqipëri.

Monika dhe Ilir Meta janë angazhuar për futjen në treg të kompanisë së Shatkut. Ata kanë ndikuar te Haxhinasto për të nxjerrë urdhrin nr. 1814, datë 20 mars 2015, për ndryshimin e urdhrit të mëparshëm për shtrirjen e fibrës.

Kryemadhi i ka shkruar Shatkut se ne duam kontratën, duke u nënkuptuar se e do edhe Meta. Marrëdhënia e Metës me kompaninë e Shatkut dhe lobimi: LSI ka bërë lobim përmes ndihmës së kompanisë së Shatkut.

LSI ka bërë marrëveshje me disa kompani, duke raportuar se ajo marrëveshje zgjati 1 vit e 4 muaj, por realisht ishte vetëm një muaj, me një kosto prej 15 mijë dollarësh që kaloi nga llogaria. Kryemadhi përdori 234 mijë dollarë nga kartat e Ardian Shatkut”, ka thënë prokurori i SPAK.

Megjithatë, Meta ka thënë se ai nuk mban përgjegjësi për verimet e ish-bashkëshortes, që kjo e fundit ka bërë pa dijeninë e tij.

“Në respekt të gjykatës duhet të sqaroj: në seancën paraprake edhe zonja Gjoka e ka kuptuar këtë histori. Unë kam statusin ‘i divorcuar’. Unë mos të mbaj përgjegjësi çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale. Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam prej para 20 vitesh. Nuk u kushtoj shumë rëndësi këtyre.”