A është shkarkuar ministrja e Financave?! Media Ditari e paralajmëroi! Rritja e pagave i “hëngri kokën”

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj përgënjeshtroi lajmin e shkarkimit të saj dhe e cilësoi “thashethem vere”. Por korridoreve të Kryeministrisë flitet se marrëdhënia e saj me Kryeministrin Edi Rama është mbyllur, dhe se shkarkimi i saj do formalizohet në shtator me mbledhjen e Parlamentit. Disa media pranë qeverisë e mbështesin këtë version dhe madje japin edhe një shkak tjetër. Ibrahimaj është konfliktuar me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe kjo ka krijuar një situatë që Ramës i duhet të merrte një vendim. 

Delina Ibrahimaj e mori portofolin e shtetit më shtator 2021, duke shërbyer në këtë detyrë për më pak se dy vjet, por mesa duket një tjetër gabim i pafalshëm i ka kushtuar shumë.

Media Ditari publikoi pak ditë më parë një lajm ekskluziv, ku raportoi se rritja e pagave për punonjësit e administratës kishte dalë jashtë kontrollit, duke rritur kostot në shifra të pamenduara më parë nga Ministria e Financave. Në vitin 2023 vendimi për rritjen e pagave do të rriste kostot me 20 milionë euro, ndërkohë që për vitet të vijim ka një kosto edhe më alarmuese, që sipas të dhënave zyrtare e tejkalon 400 milionë euro.

E ndodhur në këtë situatë, Ministria e Financave kërkoi një zgjidhje ndryshe dhe ekstra ligjore. Media Ditari ka zbuluar se përgjatë muajit Maj dhe Qershor, me dhjetëra drejtues institucionesh publike janë kontaktuar nga zyrtarët e ministrisë së Financave ku u është kërkuar verbalisht që të shkurtojnë vendet e punës.

Burimet shpjeguan se si masë e menjëhershme, institucioneve u është kërkuar të mos plotësojnë vakancat e nëpunësve publike, një shifër që e tejkalon numrin 1 mijë punonjës, me qëllimin e kursimit të fondeve. Por kjo ka qenë e pamjaftueshme ndaj dhe ministria e Financave insiston për shkurtime personeli për të ulur koston.

E gjithë kjo sipërmarrje është kryer larg shkresave zyrtare. Media Ditari kontaktoi të paktën 8 drejtues institucionesh qeveritare dhe shumica e tyre konfirmuan “urdhrin” verbal të ministrisë së Financave. Një pjesë e tyre e cilësojnë urdhërin e ministrisë si të pamundur për t’u realizuar pasi shkurtimi i stafit kërkon kohë ndërsa nuk mund të mbajnë të bllokuar vakancat në administratën publike.

Mesa duket, ky vendim i ministres i ka kushtuar asaj edhe postin, me kryeministrin Rama që nu kia ka falur një gabim të tillë. Ndërkohë, pritet që Rama të japë edhe një arsye për këtë vendim të marrë, por si çdo herë tjetër, edhe këtë herë arsyet e vërteta vështirë se do të bëhen publike.

LEXO EDHE: Rritja e pagave del jashtë kontrollit, Ministria e Financave jep urdhër për shkarkime në administratë