Nipi i Rexhep Qosja, ka publikuar një letër me amanetin e fundit të akademikut, e shkruar më 30 prill 2016 në Prishtinë.
Qosja shkruan se nipi u kujdes për të dhe se kërkon që ai të merret edhe me varrosjen e tij.
Në letër, Rexhep Qosja shpreh dëshirën që të varroset pa ritual fetar dhe pa praninë e autoriteteve zyrtare.
“Dua të jam i varrosur pa ritual fetar”, shkruan ai, duke e lidhur këtë me besimin e tij në mendimin shkencor, ngritjen shpirtërore dhe përparimin shoqëror.
Po ashtu, ai kërkon që varrimi të bëhet vetëm nga familjarët dhe në mënyrë të thjeshtë, pa fjalime, pa media e pa lule, pranë varrit të bashkëshortes së tij, Shpresës.
Letra e plotë e Qosjas:
Një letër për fundin. Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.
Valjeti, NIPIT TIM VALJETIT I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë. Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat. Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja