“Më rrahën nipin 13 vjeçar”, zbardhet dëshmia e autorit të plagosjes së dyfishtë në Malësinë e Madhe

 Është zbardhur dëshmia e Lul Rakajt, autorit të plagosjes së dyfishtë në Malësinë e Madhe. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës të 15 shtatorit, kur Rakaj shkoi në lokalin e fshatit Vrakë dhe pas një debate meBesmir Çofin dhe Avenir Hasanajt, nxori armën dhe i qëlloi të dy.

Në dëshminë e tij, autori është shprehur se dy të plagosurit i kishin rrahur nipin 13 vjeçar disa ditë më parë.

Ai ka thënë se kishte menduar që ata mund ta vrisnin, prandaj i ka qëlluar vetë i pari.

“Pak ditë më parë dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur, vetëm 13 vjeç. Di që më kanë goditur nipin i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur.

Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin qëllova ndaj tyre”, ka dëshmuar Rakaj në Policinë e Shkodrës.

Pas të shtënave, Lul Rakaj, u largua me shpejtësi bashkë me armën e krimit, duke tentuar për disa orë t’i fshihet policisë. Pas 3 orësh kërkime, RENEA e konstatoi në afërsi të ballkonit të Tamarës, e rrethoi dhe i bëri thirrje të dorëzohej.

Lul Rakaj iu përgjigj thirrjes për dorëzim, por disa herë tentoi të dilte nga rrethimi. Rakaj është personazh i njohur për drejtësinë. 13 vjet më parë ai vrau për hakmarrje në Hot të Malësisë së Madhe Kolë Mushkun, pasi më herët i kishte vrarë të atin.