Më i paguari në rajon/ Bajram Begaj, PASHAI që i bindet urdhrave të SULLTANIT

Kompetencat e Presidentit të Shqipërisë janë shumë më pak sesa kanë qenë, por ky institucion nuk ishte katandisur ndonjëherë në këtë derexhe, ku kryetari i shtetit të jetë thjesht një zbatues urdhrash.

Bajram Begaj la postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë për të pranuar ofertën e kryeministrit Edi Rama për të qenë në krye të shtetit, pas përfundimit të mandatit të një nga Presidentëve më të “zhurmshëm” që ka patur Shqipëria, Ilir Metës.

Emri i tij ishte anonim për qytetarët shqiptarë por edhe i papritur, pas shumë emrave të tjerë të përfolur, por që në fund të gjithë u surprizuan nga zgjedhja e kryeministrit, që si asnjëherë tjetër, e vendosi vetë kë donte të vendoste në krye të shtetit. Deri më tani Rama nuk është zhgënjyer, pasi gjithçka ka ecur sipas pritshmërive të tij, me Begajn që i është përgjigjur në çdo rast si një ushtar i devotshëm.

Të zhgënjyerit janë qytetarët shqiptarë, që kanë kuptuar se në krye të shtetit nuk është vendosur një ish-ushtarak që nuk merr urdhra, por një person që ka vendosur t’i shërbejë regjimit dhe të zotit që e zgjodhi në atë detyrë.

Bajram Begaj është Presidenti më i paguar në rajon, pasi paguhet 4.25 milionë lekë të vjetra në muaj, ndërkohë që puna e tij në krahasim me homologët e tij është vite dritë larg. Për ta kuptuar më mirë këtë mjafton të shohim ligjet që ka dekretuar dhe ato që ka kthyer Presidenti.

Tre nga ligjet më të diskutuara në Shqipëri vitin e fundit janë për legalizimin e kanabisit; ligji për studentët e mjekësisë, që i detyron këta të fundit të punojnë 5 vite në Shqipëri përpara se të mund të pajisen me diplomë dhe ligji për Akademinë e Shkencave, që i jep mundësi Skënder Gjinushit të kandidojë për një mandat të dytë. Të tre ligjet u miratuan në seancën e fundit plenare, edhe pse opozita dhe shoqëria civile doli kundër.

Po e fillojmë me ligjin për studentët e mjekësisë, të cilët lanë në mes pushimet e tyre për shkak të një vendimi absurd të qeverisë për t’i mbajtur peng, dhe dolën të protestojnë në temperatura maksimale, në kohën kur ministrja dhe zyrtarët e tjerë shijonin pushimet. U thirrën edhe në Komisionin e Ligjeve, por ashtu si çdo herë tjetër, kërkesat e tyre nuk u morën parasysh.

Shpresa e tyre e fundit ishte Presidenti, i cili i ftoi në një seancë dëgjimore në 25 Korrik dhe i siguroi se “do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese”.

Por çfarë ndodhi? Presidenti nuk bëri asgjë më shumë veçse i nguli thikën pas shpine studentëve. Ai nuk e ktheu ligjin në Kuvend, por as nuk e dekretoi, ndaj automatikisht ligji hyri në fuqi dhe studentët do të jenë “peng” i një ligji të kopjuar nga Nigeria. Madje, Presidenti nuk reagoi fare për këtë ligj, si për të injoruar paturpësisht ata studentë që i varën të gjitha shpresat te ai.

Një tjetër ligj që u dkretua në mënyrë të heshtur ishte edhe ai për legalizimin e kanabisit, shumë i kontestuar nga qytetarët, por i pranuar me moskokëçarje nga Begaj. Një tradhti ndaj popullit, që nuk e zgjodhi, por ia vendosën në krye të një institucioni që deri më sot nuk e ka merituar aspak.

Në pritje është ligji për Akadmeinë e Shkencave, por me shumë gjasë edhe ky ligj do të kalojë po njësoj, pa asnjë reagim. Të vetmin ligj që ka kthyer është ai për dhënien e dekoratave, ku nuk lejoi që t’i hiqej kjo e drejtë, pasi në fund të fundit, çfarë tjetër mund të bëjë një njeri i vendosur për të zbatuar urdhra.

I vetmi reagim që ka bërë Begaj, edhe ai i gabuar, ka qenë disa javë më parë për Ballkanin e Hapur. Një nismë që edhe Rama vetë e konsideron të “vdekur”, por Begaj dha deklaratë se ishte diçka pozitive për Shqipërinë. Ndoshta, këtë deklaratë duhet ta kishte bërë më herët, pasi tashmë nuk ka asnjë vlerë.

Pra, si përfundim, “Pashai” Bajram Begaj u vendos vetëm për t’iu bindur urdhrave të Sulltanit, që e mbuloi me para’ falë rritjes së rrogës.