Mbledhja e të gjithë deputetëve opozitarë, Bardhi: Basha është i ftuar, por duhet të fitojë besimin për të qenë kreu i grupit parlamentar

Deputeti demokrat Gazment Bardhi, ka folur para nisjes së seancës plenare për ftesën që u ka bërë të gjithë deputetëve opozitarë përe ditën e nesërme.

Ai u shpreh se të gjithë janë të ftuar, teksa u ndal më shumë te Lulzim Basha, për të cilin tha se i duhet të fitojë besimin e deputetëve demokratë për të qenë kryetar i grupit parlamentar. I pyetur nëse do të ishte ndërmjetësues për një pajtim mes Berishës dhe Bashës, ai tha se qytetarët kërkojnë bashkim, ndaj është detyrë e tij të unifikojë çdo deputet opozitar.

“Zoti Basha do të duhet të fitojë besimin e 18 kolegëve, vota e 19 pro tij do të jetë e Gazment Bardhit.. Unë kam ftuar të gjithë deputetët e koalicionit PD-AN pa asnjë përjashtim, për të përcaktuar një axhendë të përbashkët parlemnatare. Vendi ka nevojë për një opozitë funksionale, jo një opozitë që zihet mes vetesh dhe jo një opozitë që i bën nder mazhorancës.

Cilido që ka mendim opozitar, është i ftuar në këtë takim të përbashkët të dalë nga lista e koalicionit. Sigurisht që zoti Basha është ftuar në këtë takim. Aty ka mundësinë e tij për të shprehur ambicien për t’u zgjedhur kryetar i grupit parlamentar.

Biem dakort të gjithë bashkë se 7 është më e vogël se 20. Nuk e di kush do ta bëjë zotin Basha qesharak që të thotë se 7 është më e madhe se 20 apo 30. Mbledhja e dpeutetëve cakton kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së.

Ftoj secilin koleg të bëhet pjesë e atij takimi. Do të diskutojmë sesi ka funksionuar opozita gjatë këtyre 2 viteve dhe të ndërtojmë të gjithë bashkë një aksion politik të përbashkët.

Roli im si kryetar i grupit parlamentar, është të unifikojë çdo deytet të PD-së në një qëllim të përbashkët kundër Edi Ramës. Qytetarët që duan ndryshimin, s’duan ndarje, por kërkojnë bashkim. Unë po bëj detyrën time”, tha Bardhi ndër të tjera.