Mazhoranca rrëzon kërkesën për mocion me debat, Bardhi përplaset ashpër me Ballën: Po mbron interesat e Suel Çelës

Mazhoranca ka rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve kërkesën e Partisë Demokratike për mocione me debat dhe ngritjen e nëj Komisioni të Posaçëm në lidhje me gjetjet e OLAF për fondet e programit IPARD, që ishin të destinuara për fermerët, por përfunduan në xhepat e oligarkëve dhe miqve të pushtetit.

Pas refuzimit të kërkesës nga mazhoranca, ka patur një përplasje të ashpër mes Gazment Bardhit dhe Taulant Ballës, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së e ka akuzuar socialistin se po mbron interesat e babait të Suel Çelës.

Bardhi tha se babai i Suel Çelës ka marrë 150 mijë euro nga fondet e IPARD, ndaj Balla nuk pranon të ketë debat mbi këto fonde.

“Nuk kemi bërë asnjë rrugë tjetër, përveç asaj rruge ku ju ngritët komisionin e famshëm “Xhafa”. Nuk ka asnjë kundërthënie në kërkesën tonë për mocion me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm. Por kështu ndodh kur bëhet një lexim gjysmak dhe ndërkohë në mendje keni vetëm si ta rrëzoni kërkesën.

Por unë e kuptoj që ju nuk doni debat. Jeni këtu për të miratuar ligje që shkruhen në kompjuterin e Klodian Zotos, në tavolinën e Edmond Begos, apo për të miratuar ligje që u japin prona Suel Çelës.

Pretenduat se nuk keni raportet e OLAF-it. Ato janë zyrtare dhe të publikuara në faqen publike të internetit. Por ju, z. Balla, jeni i zënë me çështje të tjera.

Ju nuk doni debat, sepse ka përfituar babai i Suel Çelës, babai i një personi që është shpallur kreu i një organizate kriminale. Ai ka marrë 150 mijë euro, prandaj nuk doni ju debat.

Ne duam debat, sepse ato para duam t’i shkojnë fermerit të Bradasheshit, një fermeri në Divjakë, Lushnjë apo Fier. Por ju nuk keni këtë merak. Ju keni merak se mos dalin dokumentet. Mos u shqetësoni ne i kemi dokumentet.

Ti, Taulant, qesh! Qesh, sepse pronat e atyre i ke pasur merak dhe kjo është e dokumentuar. Por po ta them këtu: çdo javë do të keni kërkesa për debat, sepse ne nuk jemi këtu për të përfaqësuar interesat e Suel Çelës.

Ashtu siç mendoj se shumë kolegë socialistë nuk janë këtu për këtë qëllim. Ata që janë për të përfaqësuar interesat e krimit, gjejnë yçkëla për të refuzuar debatin”, tha Bardhi.