Mazhoranca miraton ligjin, pronat publike mund t’u jepen edhe oligarkëve

Në seancën e djeshme parlamentare, Kuvendi miratoi ligjin për privatizimin e pronës shtetërore. Në seancën, e cila zgjati disa orë, socialistët miratuan vetëm me votat e tyre ndryshimet ku pronat shtetërore do të mund të shkëmbehen me ato private të bizneseve të ndryshme. E thënë shkurt, pronat publike mund t’u jepen edhe oligarkëve.

21 deputetë votuan kundër dhe 2 abstenuan, në atë që është konsideruar si një ligj i porositur nga oligarkët.

Ashtu siç ka ndodhur me shumë ligje të tjera, socialistët e kaluan me shpejtësi, duke nxitur edhe debate mes deputetëve të opozitës, të cilët edhe më herët kishin deklaruar se ndryshimet bëhen për interesa të fshehta dhe krijojnë hapësira korruptive.

Ata kërkuan që të hiqej nga rendi i ditës, por nuk u mor parasysh nga socialistët, të cilët e rrëzuan kërkesën e tyre.

Opozita ka hedhur akuza, se socialistët i kanë bërë këto ndryshime vetëm për interesa të disa oligarkëve, të cilët janë të lidhur me qeverinë.

Deputetja e PD Dhurata Çupi, në seancë u shpreh se ky ligj është antikushtetues dhe se pronat shtetërore do t’i jepen privatit për të bërë kulla. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputetja Jorida Tabaku, që sipas saj është në funksion të biznesmenëve.

Sipas propozimeve të bëra nga socialsitët, “prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore”.

Gjithashtu, objektet shtetërore propozohen të shemben në troje ku janë dhënë leje zhvillimi.

Ky ligji konsiderohet si me porosi për t’ u falur pronat publike oligarkëve, duke i privatizuar për të investuar në to. Nje tjetër ligj ku qeveria vihet në shërbim të oligarkëve, pas atij për zgjatjen e investimeve strategjike.

Ndërkohë duhet theksuar se ky projektligj, u bë duke shmangur konsultimin publik, ndërsa opozita ka paralajmëruar se do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.