Në fjalën e tij gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli edhe për Reformën e re Territoriale, që do t’i hapë rrugë edhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Pavarësisht se Reforma e re duhet diskutuar edhe me opozitën, mazhoranca duket se e ka gati planin se çfarë do të bëjë me ndarjen e re të vendit, pasi i ka votat që i duhen për ta bërë e vetme këtë Reformë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, la të kuptohet në emisionin “Top Story” se Reforma e re Territoriale do të miratohet pëpara zgjedhjeve lokale të vitit 2027. Ai deklaroi se disa bashki do të shkrihen, duke e ulur numrin e bashkive në vendin tonë, që aktualisht është 61, por nuk përmendi ndryshimet e tjera që mund të ndodhin.
“Ka bashki që nuk e justifikojnë të qënit bashki. Duhet ta bëjmë këtë para zgjedhjeve të ardhshme lokale, që janë në pranverën e viti 2027”, tha ai.
Ndërkohë, seanca e parë plenare që u zhvillua ditën e djeshme u mbyll pas vetëm 25 minutash, edhe pse duhet të ishte maratonë dhe kryeministri Rama duhet të shpaloste programin qeverisës të 4 viteve të ardhshme.
Mjaftoi një protestë e vogël e opozitës kundër Ministres Virtuale “Diella”, që Rama të urdhëronte Peleshin të mbyllte seancën, me këtë të fundit që nuk e vuri aspak në dyshim urdhrin, por e zbatoi menjëherë.