Masakra në Dobraç të Shkodrës pak ditë më parë ku humbën jetën 4 persona i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencë për këtë çështje dhe dyshon se ngjarja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
Kujtojmë se në atentatin mafioz të 30 tetorit humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati, Flutura dhe Bashkim Basha, me këta dy të fundit të cilët gjendeshin rastësisht në vendin ku ndodhi ngjarja dhe mbetën viktimë. Çifti i bashkëshortëve po lëviznin me motor, në momentin që u përplasën nga makina ku udhëtonin Lici dhe Bushati, pak pasi drejt tyre u qëllua me breshëri plumbash.
Hamza Lici dhe Flutura Basha humbën jetën në vend, Arlind Bushati disa orë pas atentatit. Ndërkohë Bashkim Basha dy ditë më pas. Sa i takon autorëve, policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen e rëndë, që u mori jetën 4 personave.