Arritja e marrëveshjes me PDIU-në për t’iu bashkuar koalicionit të madh opozitar ishte më e vështira për Partinë Demokratike, për shkak se partia e Shpëtim Idrizit kërkonte më shumë se një vend të sigurt në listat e kandidatëve për deputetë.
Por në ditën e fundit të afatit për të dorëzuar emrat e partive të koalicionit në KQZ, PD dhe DIU kanë gjetur marrëveshjen, duke e bërë partinë e Idrizit më të privilegjuar se partitë e tjera si PR, PAA apo PBDNJ.
Palët kanë vendosur që vetëm Shpëtim Idrizi do të jetë në listën e sigurt për PDIU-në, ndërsa deputetja tjetër e kësaj partie, Mesila Doda, do të futet në listë të sigurt si pjesë e Partisë Demokratike në Tiranë.
Por, duke qenë se në Tiranë do të jenë një numër i madh kandidatësh që synojnë listën e sigurt, përfshirë edhe aleatët, i “sakrifikuari” i Berishës duket të jetë Flamur Noka, i cili po shkon drejt kandidimit në listën e sigurt në qarkun e Elbasanit.
Sipas gazetarit Juxhin Mustafaraj, Mesila Doda mund të jetë e 12-a në listë, që do të thotë vendi i fundit i sigurt, ndërsa nga Tirana mujd të lëvizë edhe Jozefina Topalli, për të kandiduar në një qark tjetër.
“Të gjithë janë në listë të sigurt. Belind Këlliçi do të jetë në listë të sigurt. Meta në dakordësinë që ka rënë me Berishën, do të kandidojë në qarkun e Fierit dhe Tedi Blushi e Erisa Xhixho nga PL-ja do të përfshihen në listën e sigurt të Tiranës. Ajo që le të themi mund të jetë risi dhe e mërkura e ardhshme do e konfirmojë, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, ndryshe çfarë është thënë deri sot në media, ka marrë dy në listë të sigurt dhe jo Idrizin. Mesila Doda do të jetë në listën e Partisë Demokratike të sigurt, por nën propozimin e PD-së, ndërkohë Shpëtim Idrizi do të jetë i vetmi si i PDIU-së.
Deri te Besart Xhaferri është lista e mbyllur e Partisë Demokratike. Nëse Mesila Doda qëndron në qarkun e Tiranës, të gjithë më poshtë do të jenë në listë të hapur. Dy persona që mund të lëvizin nga qarku i Tiranës janë sekretari i përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, mund të ketë një lëvizje të tij ndoshta në qarkun e Elbasanit. Është përfolur dhe Jozefina Topalli, gjithashtu në qarkun e Elbasanit, por dhe kjo e pakonfirmuar”, tha Mustafaraj.