Mandati i Olta Xhaçkës “fle në sirtarët” e Kuvendit, Bardhi letër Nikollës: Sinjal për SPAK që të mos hetojë deputeten

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhackës.

Në letër, Bardhi akuzon mazhorancën se po mbaron deputeten Xhaçka dhe familjarët e saj, nga hetimet. Ndërkohë më tej shkruan se ky është një sinjal për SPAK që të mos hetojë deputeten dhe familjarët e saj.

Në shkresën drejtuar Nikollës, kreu i grupit parlamentar demokrat ka theksuar se është deformuar qëndrimi i Këshillit të Legjislacionit dhe se nuk ka asnjë adresim prej tij të asnjë çështje për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Bardhi kujton se Këshilli për Legjislacionin nuk është organ vendimmarrës por këshillimor.

Bardhi i kërkon Nikollës që të zgjedh nëse duhet të thërras mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ose të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, por pa asnjë vonesë të mëtejshme.

“Mazhoranca socialiste duhet të heq menjëherë dorë nga precedenti i rrezikshëm i injorimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo minon demokracinë dhe parimet e shtetit ligjor. Pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, po të mbahen në konsideratë rrethanat e çështjes, krijon bindjen e plotë në opinionin publik se përmes veprimeve konkrete mazhoranca juaj po pengon drejtësinë në përmbushjen e rolit të vet kushtetues, duke i ofruar mbrojtje politike të paprecedentë një deputeti të mazhorancës. Në vlerësimin tonë, ky është një sinjal politik edhe për SPAK që të mos hetojë deputeten e mazhorancës dhe familjarët e saj, për implikimin e mundshëm në tjetërsimin e paligjshëm të pronave publike, apo të mos hetojë autoritetet përgjegjëse, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, që në shkelje të ligjit dhe me dokumente të falsifikuara i kanë dhënë familjes së deputetes Xhaçka statusin e investitorit strategjik dhe benefitet ligjore e financiare që vijnë nga ky status” – përfundon letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi.