Macron pret Albin Kurtin në Paris, një muaj pas deklaratës së shumëkomentuar për liberalizimin e vizave

Në prag të edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është pritur në takim nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Detajet e vizitës janë bërë të ditura nga vetë kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook.

“Në Pallatin Élysée, bashkë me Ritën, mysafirë të presidentit francez Macron dhe Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, në prag të edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris”, ka shkruar Kurti.

Takimi mes tyre vjen një muaj pas deklaratës së Macron në Shqipëri që u përkthye si pezullim për vizat e Kosovës, gjë që shkaktoi reagime si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë.

Edhe komuniteti ndërkombëtar reagoi duke mos komentuar deklaratën e Macron por duke theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën nis më 1 janar 2024 dhe se një shtet i vetëm nuk mund të vendosë për të kundërtën.

Të shtunën, më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Paqes, kryeministri Kurti do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, ndërkohë që gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë disa takime.