Luftëra, dhunë, vrasje: Nga buron e keqja që kemi brenda nesh?

“Focus.it”

Ligësi, mizori, dhunë. Historia e njeriut është edhe kjo:luftëra, tortura, masakra. E megjithatë, studimet thonë se ne nuk lindim të ligj. Sepse përveç gjeneve, sjellja ndikohet fuqishëm nga historia personale, faktorë socialë dhe ata kulturorë.

Për më tepër, e keqja ka shumë fytyra. Shkenca ka gjurmuar identikite të ndryshme të “djemve të këqij”, tiparet e të cilëve mund të jenë pak a shumë të qarta. Tipike për diktatorët apo vrasësit, mjerisht të famshëm, por edhe për njerëzit që mund të keni pranë.

Luftërat ideologjike dhe fetare

Ndër faktorët që çojnë në akte mizore, psikologu Roi Baumaister rendit dëshirën për përfitime materiale, “egoizmin e kërcënuar”, sadizmin dhe madje edhe idealizmin.

“Shumë konflikte të dhunshme nxiten nga ideologji absurde, fetare dhe laike. Ato utopike janë ndër më të këqijtë. Pasi çdo mjet mund të bëhet “racionalisht” i justifikueshëm për një qëllim utopik, sidomos nëse shoqërohet me dehumanizimin e një grupi që cilësohet pengesë për arritjen e shoqërisë së përsosur”-shpjegon Baumaister.

Kjo është ajo që ndodhi me Holokaustin. Dhe për fatin tonë të keq, mbështetja ndaj luftës dhe brutalitetit për arsye ideologjike, është më aktuale se kurrë. Patriarku rus Kiril, deklaroi publikisht vitin e kaluar se e mbështet pushtimin në Ukrainë si një luftë kundër vlerave perëndimore.

Po kush janë njerëzit e këqij?

Delroi Polhus, psikolog në Universitetin e Kolumbias Britanike (Kanada), merret me studimin e “personaliteteve të errëta”. Fillimisht, interesi i tij ishte i orientuar drejt narcizistëve:egoistë, konkurruesve të ashpër, dominuesve, njerëzve që kanë dukshëm  nevojë për t’u admiruar, ata që kanë një mendim superior mbi veten dhe që sulmojnë ata që i pengojnë (ndjejnë se kanë më shumë të drejta se të tjerët) apo që përfaqësojnë një rrezik për vetëvlerësimin e tyre (në realitet janë shumë të brishtë).

Më pas, bashkë me kolegun e tij Kevin Uilliams, i zgjeroi studimet e tij mbi dukuritë e makiavelizmit dhe psikopatitë (dy tipare të tjera të personalitetit), duke identifikuar atë që quhej “triada e errët”:tre fytyrat e së keqes.

Tipari më i lig i njerëzimit

Një njeri makiavelist është cinik dhe imoral. Ai harton strategji të liga për të arritur atë që dëshiron. Ndërton aleanca në funksion të këtij qëllimi, dhe përpiqet të ruajë një imazh pozitiv në komunitet. Ndërkohë psikopati është një person impulsiv, nervoz, në nevojë të vazhdueshme për stimulim.

Ai është një manipulues i paskrupullt, i pandjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve, deri në pikën që nuk ndjen fare keqardhje. Së bashku me narcizistin, ata përbëjnë një treshe vërtet të frikshme. Janë personalitete të pavarura, por me lidhje midis tyre, të cilët ndonjëherë bashkëjetojnë në “doza” të ndryshme tek i njëjti individ.

Ndonëse nuk është gjithmonë kështu. Polhus dhe Uilliams shkruajnë:”Në shkallë të ndryshme, të tria tiparet përfshijnë një personazh keqdashës në aspektin social, me prirje drejt vetë-promovimit, ftohtësisë emocionale dhe agresionit”. Me pak fjalë, më të keqen e njerëzimit.

Sadizmi dhe defiçitet e personalitetit

Por kërkimi i Paulhus shkoi më tej, duke u fokusuar te njerëzit që pranojnë se u shkaktojnë dhimbje të tjerëve për asnjë arsye tjetër përveç kënaqësisë së tyre. Kështu, ai identifikoi një dimension të katërt të së keqes: “sadizmin e përditshëm”. E kombinuar me të tjerat, përbën atë që ai e quajti “katërshja e errët”.

Por pse sadistët sillen në këtë mënyrë? Një hipotezë është se ata përjetojnë emocione pozitive të heshtura:aktet e tyre të mizorisë, mund të jenë një përpjekje për ta dalë nga mpirja emocionale, për të kërkuar eksitim duke e kompensuar mungesën e ndjesive të këndshme në jetën e tyre.

Aq sa, sipas studimeve të tjera, një prirje kronike ndaj mërzisë në jetën e përditshme favorizon mendimet dhe sjelljet sadiste, siç janë ngacmuesit në internet:”Këta janë versioni i sadistëve në rrjet, sepse e kalojnë kohën e tyre duke synuar të lëndojnë njerëz, të njohur a të panjohur qofshin”-thotë Polhus.

Natyrisht, kalimi në veprime konkrete nuk është i shpeshtë. “Sjellja sadiste nuk ka gjasa të jetë e pranishme pa deficite të tjera të personalitetit (p.sh prirja ndaj zemërimit, impulsiviteti). Por instinktet sadiste (pa ndjeshmëri) janë të mundshme edhe tek njerëzit që nuk kanë ndonjë shqetësim serioz”- shkruan Polhus.

Por cili është profili i njeriut më të lig të mundshëm? “Psikopatia është më e rrezikshmja nga çrregullimet e personalitetit. Sepse ajo çon në shikimin e të tjerëve si një objekt, si një instrument për t’u përdorur për nevojat e veta, pa pasur asnjë shqetësimin apo interesin më të vogël për atë që ndjejnë të tjerët. Egocentrizmi i psikopatit dhe nevoja për pushtet dhe kontroll, janë përbërës të përsosur për një jetë me aktivitet antisocial dhe kriminal”- pohon psikologu Pol Babiak në buletinin e FBI-së.

Mashtrimet, sulmet, dhuna seksuale, atentatet, vrasjet seriale lidhen shpesh me këtë profil personaliteti. “Nëse psikopatët kryejnë vrasje, ka të ngjarë që veprimi të planifikohet, dhe shpesh motivimi përfshin kënaqësinë sadiste”- shton Babiak. Në përgjithësi, këta individë janë të shpenguar dhe simpatikë. Ata vendosin maskën e duhur për të fituar besimin e viktimës në fjalë (për shembull, për të mashtruar pensionistët dhe më pas grabitur ata).

Kreu i shtetit, kolegu dhe fqinji

Por jo të gjithë psikopatët janë kriminelë (ashtu siç vlen edhe e kundërta). Teorikisht, të gjithë mund t’i kenë si kolegë pune, të afërm ose fqinjë. Edhe pse nuk ndjejnë empati, ata dinë të “lexojnë” emocionet e të tjerëve dhe janë të aftë në simulimin e tyre.

“Për shkak të aftësive të tyre ndër-personale, shumica mund të lënë përshtypje të mirë dhe shumë prej tyre nuk e kanë të vështirë të hyjnë në radhët e biznesit, politikës, organeve të zbatimit të ligjit, qeverisë dhe botën akademike. “Ata i ke në të gjithë sektorët e tregut punës”- nënvizon Babiak, i cili i quan “gjarpërinj me kostume” psikopatët që me manipulimet e tyre arrijnë të mbajnë poste të rëndësishme.

Dënimi me vdekje dhe agresioni ushtarak

Megjithatë kini kujdes kur besoni tek “ligësia e pastër”, pra tek e keqja totale pa asnjë nuancë dhe mundësinë e pendesës. Ata që e bëjnë këtë, priren në fakt të jenë më armiqësorë dhe agresivë. Kjo është zbuluar në një studim të Universiteteve të Pensilvanisë dhe Kansasit.

Në përgjithësi, ata që besojnë tek e keqja absolute janë më pesimistë, mosbesues, më pak egalitarë, e justifikojnë dhunën parandaluese, dhe janë më shpesh në favor të dënimit me vdekje dhe agresionit ushtarak. Një sjellje shumë e rrezikshme:kur të dyja palët e një konflikti e shohin tjetrën si “të keqe”, është e lehtë që të përfshihen në një spirale dhune.