Seanca e fundit plenare nxorri zbuluar dy kandidaturat e mundshme për të drejtuar Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Në podium u ngjitën plot pathos Toni Gogu, i cili sulmoi opozitën, ndërsa raporti për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt u lexua nga Arben Pëllumbi.
Të paktën 3 deputetë socialistë zbuluan për Media Ditarin se Gogu dhe Pëllumbi janë dy emrat që kane lobuar fort pranë Edi Ramës për t’i zënë vendin Ballës.
Por teksa pritej që kjo çështje të mbyllej shpejt, mesa duket hezitimi i Ramës ka tjetër arsye. Një zgjedhje e tij do nënkuptonte edhe drejtimin që Rama dëshiron brenda partisë.
Nëse do i përmbahej rregullores, Toni Gogu duhet të zinte vendin e Ballës pasi aktualisht është nënkryetar i grupit. Por kjo nuk ka ndodhur. Nga ana tjetër, një grup tjetër veteranësh po lobojnë për Arben Pëllumbin i cili ka nisur të jetë më aktiv.
Kreu i ri i grupit parlamentar të PS do japë një mesazh tjetër të fortë mbi të ardhmen politike brenda maxhorancës. Toni Gugu është një deputet i ri, ish pastor dhe jurist, i promovuar dhe i mbështetur fort nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ndërsa Arben Pëllumbi, djali i Servet Pëllumbit ose “profesorit të së majtës”, përfaqëson gjithë krahun tjetër tradicional që nuk duan Veliajn si të ardhmen e PS.