Lufta Izrael-Hamas ka përplasur kryeministrin Edi Rama me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan. Erdogan tha se Shqipëria duhet të jetë një nga shtetet që t’i bëjë presion Tel Aviv dhe të tërhiqet nga Gaza. Ai tha me shumë siguri se Shqipëria do të jetë pjesë e qëndrimeve të tij, kundër Izraelit, por duket se kjo ka shkaktuar një përplasje mes tyre, ku Rama e cilësoi Hamasin si një organizatë terroriste. Ndryshe nga Turqia, që e quan atë një lëvizje çlirimtare.
“Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim. Gjenocidi që vazhdon prej 1 viti në Gazë është turpi i përbashkët i gjithë njerëzimit. Duhet të bëjmë çmos për të siguruar armëpushim të përhershme, ofruar ndihmë humanitare dhe për të bërë presion mbi Izraelin. Besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim”, tha Erdogan.
Ndërsa, Rama tha se Shqipëria mbështet krijimin e dy shteteve, por Hamasi duhet të largohet nga Gaza. Ai tha se dy vendet duhet të jetojnë të sigurta, por pa organizatën terroriste Hamas.
“Kemi votuar në Asamblenë e OKB për një armëpushim në Gaza, i cili patjetër duhet të shoqërohet me lirimin e të gjitha pengjeve, por Hamasi dhe çdo burim tjetër terrori nuk ka vend. Izraeli dhe Palestina dy vende që duhet të jetojnë të sigurta dhe askush nuk duhet të vërë në diskutim ekzistencën e tyre”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama gjithmonë ka qenë i zëshëm për marrëdhëniet e mira diplomatike me Izraelin. Ai shpesh ka qenë i ftuar edhe në evente të ndryshme të organizuara nga Izraeli, ku dhe ka mbajtur fjalime duke thënë se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Izraelit. Ndryshe nga Rama, Erdogan gjithmonë ka kundërshtuar Izraelin dhe e ka quajtur presidentin e tij, Benjamin Netanyahu, “Hitler”. Ai ka thënë se lufta që Izraeli po bën në Gaza është padrejtë dhe duhet të ndalë menjëherë.