Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, është thirrur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të dëshmuar në lidhje me pagesën mbi 300 mijë euro të LSI-së për kompanitë e lobimit në SHBA. Kallëzimi në SPAK është bërë nga ish-deputeti Halit Valteri, pas publikimit të lajmit në një revistë austriake.
Pagesa është bërë gjatë vitit 2016, kur LSI (tashmë Partia e Lirisë), pagoi 267,804 USD për kompaninë e saj të lobimit në Uashington, Global Security and Innovative Strategies, GSIS. Sipas të dhënave që ka siguriar edhe BIRN, pagesat përfshijnë tarifën mujore fikse prej 30,000 USD për kompaninë amerikane si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane.
Shumat e paguara kanë siguruar liderëve të LSI-së takime të nivelit të lartë në Uashington, por pagesat nuk janë deklaruar të gjitha në KQZ, duke ngritur dyshime mbi origjinën e parave.
GSIS është një kompani konsulence me qendër në Uashington D.C., e cila përfshin në mes të partnerëve të saj ish zyrtarë të lartë amerikanë si ish-kreu i Shërbimit Sekret Mark Sullivan dhe ish-kreu i Departamentit të Doganave dhe Kufirit në SHBA, David Aguilar.
Petrit Vaisli pritet të pyetet nga prokurorët e SPAK në lidhje me origjinën e parave, si dhe për arsyen përse këto të ardhura nuk janë deklaruar në KQZ.