Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është liruar nga burgu ditën e sotme, pas gati 16 muajsh në qelitë e burgut të Kosovës në Lushnje, ku qëndronte prej shkurtit të vitit të kaluar, i dënuar për “shpërdorim detyre”. Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Matilda Fetahu, e cila ka pranuar kërkesën e avokatëve të ish-ministrit që pjesën e mbetur të dënimit ta kryejë në shtëpiGjithashtu ai është i detyruar që në pjesën e mbetur të dënimit prej të ketë kontakte me shërbimin e provës.
Sipas avokatit të tij, Maks Haxhia, lirimi i ish-ministrit ishte i drejtë, pasi për Tahirin nuk mund të pretendohet se ka rrezikshmëri të theksuar shoqërore, ndërsa shtoi se ish-ministri ka dy fëmijë për t’u kujdesur, pasi bashkëshortja vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat është në pamundësi për t’i shërbyer fëmijëve.
“Kuptohet që ish ministri i Brendshëm në këtë rast nuk mund të pretendohet se ka rrezikshmëri të theksuar shoqërore për këtë vepër. I ka ngelur më pak se 2 vite. Nga 3 vjet e 4 muaj i kanë mbetur 1 vit e 7 muaj e 11 ditë. Ka dy fëmijë në ngarkim. Bashkëshortja vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat është në pamundësi t’i shërbëryer fëmijëve”, tha Maks Haxhia në një prononcim për median.
Dënimi i Saimir Tahirit
Ish-ministri Saimir Tahiri u dënua nga Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në 4 shkurt 2022 me 5 vite burg për akuzën “Shpërdorim detyre”, por pasi pranoi gjykim të shkurtuar, dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burg. Ai akuzohej edhe për “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, por gjykata i hodhi poshtë këto akuza. Prej 4 shkurtit ai qëndroi në burg, fillimisht në burgun 313 dhe më pas u transferua në burgun e Fierit, për t’u zhvendosur në fund në burgun e Kosovës në Lushnje.
Përballja me drejtësinë nuk ka përfunduar akoma për Saimir Tahirin, pasi ai ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm, me shpresë për t’iu rikthyer politikës. Por edhe nga ana e Prokurorisë ka pretendime për ish-ministrin, pasi kërkohet që Tahiri të dënohet edhe për bashkëpunimin me vëllezërit Habilaj, ku pretendohet se i ka favorizuar për trafikun e drogës drejt Italisë.