Lindita Nikolla i shkruan letër zyrtarit të DASH, kërkon ndihmë për ngritjen e Komisionit për Dezinformim

Ditën e sotme, në Konferencën e Kryetarëve mazhoranca votoi për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamenatar për Dezinformimin. Ndërkohë demokratët kërkuan më shumë kohë për ngritjen e Komisionit pasi çështja është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes por nuk u mor parasysh nga socialistët.

Ndërkohë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin për t’i kërkuar ndihmë në lidhje me ngritjen e Komisionit të Dezinformimit.

Nikolla thekson se përvoja e të Dërguarit Special dhe Koordinatorit për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit do ta ndihmojë komisionin në përpjekjet kundër ndikimeve të huaja malinje.

“I nderuar zoti Rubin.

Po ju shkruaj në lidhje me nismën e fundit të iniciuar nga një grup deputetësh për Krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të luftuar ndikimin e huaj, duke përfshirë dezinformimin. Konferenca e Kryetarëve miratoi sot vendimin e Parlamentit për të ngritur një Komision të tillë dhe e ka kaluar për miratim në seancën plenare.

Duke qenë se Shqipërisë i mungon kuadri i duhur për të trajtuar ndikime të tilla, unë do të doja që jo vetëm t’ju bëj një ftesë për të vizituar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, por komisioni do të përfitonte shumë nga përvoja dhe njohuritë tuaj të vlefshme kundër këtyre forcave.

Për më tepër, dëshiroj t’ju kërkoj që t’i drejtoheni Kuvendit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje. Fjala juaj do të ndihmonte të rriste ndjeshmërinë dhe do të inkurajonte bashkëpunimin në këtë çështje të rëndësishme.

Faleminderit për konsideratën tuaj dhe pres me padurim përgjigjen tuaj”, shkruan Nikolla në letrën drejtuar të Dërguarit Special dhe Koordinatorit për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit.