Lëvizje në Policinë e Shtetit, ndryshojnë drejtuesit në disa drejtori

Policia e Shtetit ka vijuar riorganizimin e strukturave drejtuese, duke sjellë një sërë emërimesh dhe transferimesh në disa drejtori vendore dhe në strukturat qendrore të institucionit.

Në kuadër të ndryshimeve, Drejtuesi i Parë Kastriot Skënderaj merr drejtimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Ai zëvendëson në këtë detyrë Fatmir Hoxhën, i cili është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku do të ushtrojë funksionin e Specialistit në Drejtorinë për Integrimin.

Ndryshime janë bërë edhe në drejtimet e strukturave policore në Berat dhe Korçë. Luigj Vathi, që deri tani drejtonte Policinë Vendore të Beratit, është caktuar në krye të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Në këtë strukturë ka një tjetër lëvizje. Gëzim Zhupaj, i cili mbante postin e drejtuesit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Zhupaj është emëruar Shef Sektori në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike.

Riorganizimi ka prekur edhe strukturat e Policisë së Tiranës. Kryekomisari Dashnor Muhaj, që mbante detyrën e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është transferuar gjithashtu në strukturat qendrore.

Muhaj do të ushtrojë detyrën e Specialistit për Migracionin e Parregullt pranë Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.