Prokuroria e Posaçme në një njoftim për mediat ka dhënë detajet për arrestimin e ish kryetarit të Bashkisë Fushë Arrëz, Fran Tuci.
Sipas SPAK pas veprimeve hetimore ka rezultuar se në territorin që i takonte Bashkisë që drejtonte Tuci është hapur një segment i ri rrugor rreth 1.8 km me gjerësi rreth 5 m. Ky segment ka cënuar një sipërfaqë të konsiderueshme të fondit pyjor që i përkiste bashkisë, dhe ka dëmtuar rëndë terrenin e këtij fondi.
Dëmi i përllogaritur nga UKMT Shkodër rezulton se është të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.
“Ish kryetari i Bashkisë në bashkëpunim më ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë në të njëjtën kohë edhe pasojë të rëndë materiale për shtetin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor auto rural, të pamiratuar më parë nga autoritetet kompetente.
Punimet për hapjen e këtij segmenti të ri rrugor është provuar të jenë kryer nga shtetasi D. M., administrator i një subjekti tregtar privat. Ky shtetas, duke vepruar në terren me mjete të rënda, pa patur asnjë leje nga organet kompetente, ka shkaktuar shkatërrimin e pronës, duke kryer gërmime në volume të konsiderueshme dhe njëkohësisht duke shpyllëzuar fondin pyjor në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz”, thuhet në njoftimin e SPAK.