Emërimi i Taulant Ballës si Ministër i Brendshëm, ka lënë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste pa një kryetar. Balla e mbante atë post prej vitit 2017, teksa ishte një prej deputetëve më të spikatur të socialistëve në Kuvend, por i akuzuar shpesh nga opozita për lidhje me krimin e organizuar.
Me largimin e Ballës, tashmë Partia Socialiste do të vendosë për kreun e ri të Grupit Parlamentar, ku sipas burimeve brenda mazhorancës, 4 janë emrat favoritë për të zëvendësuar ministrin e ri.
Nënkryetarja aktuale e Kuvendit, Ermonela Felaj, është një prej kandidateve, por së fundmi ajo është bërë pjesë e një skandali, për shkak se 4 familjarë të saj janë emëruar në Prokurorinë e Tiranës, një rast që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ndoshta kjo do çështje mund ta bëjë Edi ramën të mendohet mirë përpara se të zgjedhë Felajn në krye të Grupit Parlamentar, duke parë që skandalet që kanë përfshirë partinë e tij kohët e fundit kanë qenë të shumta.
Një tjetër kandidate është Klotilda Bushka, aktualisht kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, pjesë e mazhorancës që prej zgjedhjeve të itit 2017. Kandidatë të tjerë janë edhe Arben Pëllumbi, aktualisht Kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, dhe Toni Gogu, aktualisht nënkryetar i Grupit Parlamentar i PS.