Lamtumirë Lili Cingu! Homazhe në TKOB në nder të mbretëreshës së valles shqiptare

Mbretëresha e valles shqiptare Liljana Cingu u nda nga jeta ditën e djeshme. Cingu, e shpallur ”Nder i Kombit” u ndanga jeta në moshën 74-vjeçare.

Solistja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, u shua mbrëmjen e 5 shkurtit pas betejës me një sëmundje të rëndë.

Javën e fundit gjendja e valltares u përkeqësua dhe fatkeqësisht kaloi në gjendje kome, derisa zemra e saj pushoi së rrahuri. 

Në nder të saj gjatë ditës së sotme do të mbahen homazhe në hollin kryesor të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Artistja e mirënjohur ishte një nga valltaret shqiptare më të mira shqiptare, e nderuar me disa tituj për karrierën e saj artistike, si “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i madh”.

“Lili”, sikurse e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte një nga valltaret shqiptare që krijoi një personalitet tipik të sajin jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj.

E konsideruar si “Perëndesha e valleve”, Cingu ishte gjithashtu një zë kritik, për investimin e nevojshëm tek artistët e Ansamblit, me shqetësimin që të përçohej tradita e vendit tonë dhe angazhimin për t’u trashëguar brezave vallen e bukur shqipe.

Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Liljana Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.

Për ndarjen nga jeta të saj shkruan mesazhe ngushëllimi personalitet të artit, kulturës por edhe të politikës shqiptare.

Pavarësisht se ajo nuk është më mes nesh, emri i saj do të mbetet i skalitur në historinë e valles shqipe.