Kampi nazist i shfarosjes në Auschwitz-Birkenau u çlirua nga trupat sovjetike më 27 janar 1945. Anita Lasker, një adoleshente hebreje, arriti të mbijetojë aty thjesht sepse orkestrës së kampit i duhej një violonçeliste.
Sot, në moshën 99-vjeçare, Anita Lasker-Wallfisch është e mbijetuara e fundit e Orkestrës së Grave të Auschwitz-it. Në moshën 19-vjeçare, ajo u intervistua nga BBC më 15 prill 1945, ditën e çlirimit të kampit të vdekjes Bergen-Belsen, ku ishte transferuar gjashtë muaj më parë. Duke folur në gjermanisht — gjuha me të cilën ishte rritur — ajo tha: “Së pari, dua të them disa fjalë për Auschwitz-in. Të paktët që kanë mbijetuar kanë frikë se bota nuk do ta besojë atë që ka ndodhur atje.”
Ajo vijoi: “Një mjek dhe një komandant qëndronin në platformë kur mbërrinin transportet dhe përzgjedhja bëhej para syve tanë. U kërkonin të sapoardhurve moshën dhe gjendjen shëndetësore. Ata që nuk dyshonin, shpesh tregonin për sëmundjet e tyre — duke firmosur kështu dënimin me vdekje. Në shënjestër ishin sidomos fëmijët dhe të moshuarit. Djathtas, majtas, djathtas, majtas. Djathtas ishte jeta; majtas, oxhaku.”
Kur mbërriti për herë të parë në platformën e shkarkimit në Auschwitz, e njohur si “rampa”, një koment i thjeshtë — se luante në violonçel — mjaftoi për të ndryshuar fatin e saj. “Muzika luhej për të shoqëruar gjërat më të tmerrshme,” kujton ajo.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Anita Lasker pothuajse nuk e foli më gjermanishten në publik për 50 vite. Megjithatë, në fëmijëri, qyteti i saj i lindjes, Breslau, ishte pjesë e Gjermanisë. Sot ai njihet si Wrocław dhe ndodhet në Poloni. Nëna e saj, Edith, ishte violiniste e talentuar, ndërsa i ati, Alfons, një avokat i suksesshëm. Si më e vogla nga tre motrat, ajo u rrit në një familje të lumtur ku arti dhe kultura vlerësoheshin shumë. Që herët e dinte se donte të bëhej violonçeliste — por jashtë shtëpisë, realiteti po bëhej gjithnjë e më i errët.
Ajo kujtonte në një dokumentar të BBC-së në vitin 1996: “Ishim një familje tipike hebreo-gjermane e integruar. Shkonim në një shkollë private dhe një ditë dëgjova: ‘Mos ia jep sfungjerin hebreut.’ Mendova: ‘Çfarë po ndodh?’”
Në vitin 1938, ndërsa antisemitizmi po përhapej në Gjermaninë naziste, prindërit e saj nuk gjenin më një mësues violonçeli që pranonte të mësonte një fëmijë hebre. Ajo u dërgua në Berlin për studime, por u detyrua të kthehej me urgjencë pas një nate dhune. Më 9 nëntor 1938, gjatë Kristallnacht — “nata e xhamave të thyer” — nazistët shkatërruan shtëpi, biznese dhe sinagoga hebreje.
Në shtëpi, prindërit vazhduan t’u ushqenin fëmijëve dashurinë për kulturën, duke thënë: “Këtë nuk mund të na e marrë askush.” Motra e madhe, Marianne, arriti të shpëtojë në vitin 1939 përmes Kindertransport-it, një mision që dërgoi mijëra fëmijë në Britani. Deri në vitin 1942, edhe pse “bota po shkatërrohej”, babai i saj vazhdonte t’i angazhonte në diskutime për vepra si drama “Don Carlos” e Friedrich Schiller. Por, siç tha ajo, “ishte e qartë çfarë do të ndodhte.”
Mbërritja në ferr
Në prill 1942 erdhi urdhri që prindërit e saj të paraqiteshin brenda 24 orësh. “Ecëm nëpër Breslau — jo vetëm ne, por një kolonë e tërë njerëzish — drejt atij vendi dhe u ndamë. Ishte fundi.” Më vonë, ajo e kuptoi dhimbjen e prindërve vetëm kur u bë vetë prind.
Anita dhe motra e saj Renate u dërguan në një jetimore hebreje, por shpejt planifikuan të arratiseshin nga Gjermania naziste. Duke u shtirur si gra që udhëtonin drejt Francës, u nisën me dokumente false. Plani dështoi dhe ato u arrestuan nga Gestapo. Anita kaloi rreth 18 muaj në burg për falsifikim dhe tentativë arratisjeje. “Burgu nuk është vend i mirë, por nuk është kamp përqendrimi. Në burg nuk të vrasin,” tha ajo.
Në vitin 1943, për shkak të mbipopullimit të burgjeve, hebrenjtë e mbetur u dërguan në kampe përqendrimi. Anita u dërgua në Auschwitz. “Mbaj mend zhurmën, kaosin, qentë, britmat dhe erën e tmerrshme… Kishe mbërritur në ferr.”
Aty iu bë tatuazhi dhe iu rrua koka. Kur përmendi rastësisht se luante violonçel, një e burgosur i tha: “Kjo është shumë mirë — mund të shpëtosh.” Kështu ajo u bë pjesë e Orkestrës së Grave, nën drejtimin e Alma Rosé, mbesa e kompozitorit Gustav Mahler.
Orkestra luante muzikë marshimi për kolonat e të burgosurve që dilnin dhe ktheheshin nga puna. “Ishte një mënyrë për t’u arratisur mendërisht,” tha ajo më vonë. “Ndërkohë që nuk të kishin kapur ende, vazhdoje të jetoje.”
Nga Auschwitz në Belsen
Alma Rosé vdiq në vitin 1944. “I detyrohemi jetën asaj,” tha Lasker. Në tetor 1944, orkestra u shpërbë dhe gratë u transferuan në Bergen-Belsen, ku kushtet ishin çnjerëzore. “Nuk kishte nevojë për dhoma gazi — vdisje nga uria dhe sëmundjet.”
Çlirimi nga trupat britanike në prill 1945 i shpëtoi jetën. “Edhe një javë dhe nuk do t’ia kishim dalë.”
Pas luftës, Anita dhe Renate u vendosën në Britani. Renate u bë shkrimtare dhe gazetare, ndërsa Anita pati një karrierë të suksesshme si muzikante dhe ishte ndër themelueset e English Chamber Orchestra. Ajo u martua me pianistin Peter Wallfisch dhe pati dy fëmijë.
Për dekada, ajo refuzoi të kthehej në Gjermani. Por me kalimin e kohës ndryshoi qëndrim. Në vitin 2018 ajo mbajti një fjalim në Bundestag. Mesazhi i saj ishte i thjeshtë: “Urrejtja është helm — në fund helmon vetveten.”