Kuvendi merr vendimin për Berishën të enjten, mbështetësit e opozitës sërish në protestë

Kuvendi do të vendosë ditën e enjte për heqjen ose jo të imunitetit të Sali Berishës, pasi SPAK ka kërkuar që ndaj tij të vendoset masa e sigurisë “arrest shtëpie/me burg”, për shkak se akuzohet për korrupsion pasiv në privatizimin e kompleksit Partizani.

Ditën e djeshme Këshilli i Mandateve miratoi me 6 vota pro, 5 nga mazhoranca dhe Enkelejd Alibeaj nga opozita, heqjen e imunitetit për Berishën, teksa jashtë sallës mbështetësit e ish-kryeministrit dhe vetë ai u mblodhën për të protestuar kundër vendimit të SPAK.

Përpara protestës, Berisha në një konferencë për media nisjen e mosbindjes civile, ndaj të enjten është parashikuar të zhvillohet protesta e radhës përpara Parlamentit. Në sallën e seancës plenare pritet që opozita të vijojë aksionin e saj, duke mos lejuar zhvillimin e një seance normale.

Protestës së djeshme nuk iu bashkuan deputetët që mbështesin kreun e grupit parlamentar, Gazment Bardhin, por vetëm deputetët e “Rithemelimit”. Opozita në Kuvend duket e bashkuar, por jashtë saj ka akoma shumë çështje për t’u zgjidhur.

Në datën 27 dhjetor pritet që Gjykata e Lartë të vendosë për fatin e vulës së Partisë Demokratike, por në të njëjtën ditë do të jetë edhe protesta e tretë e opozitës, e thirrur nga Sali Berisha, pasi sipas tij, kjo gjykatë ka vendosur që t’ia japë vulën Lulzim Bashës.